Të paktën 5 persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël, në pronësi të shtetit indian, u rrëzua në një zonë tejet të populluar të Mumbait.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, viktimat janë piloti, tre pasagjerë dhe një tjetër person që ndodhej në rrugë, në momentin që ra avioni.

Beechcraft King Air C90 ra në Ghatkopar, një zonë tejet e populluar, pranë një prej stacioneve më të mëdha të trenit dhe aeropotit të qytetit.

Nga raportimet paraprake  mësohet se avioni i vogël ra në momentin që po bëhej gati për ulje. Në pamjet e publikuara nga mediat në vend shihet mjeti i përfshirë nga flakët, ndërsa në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie dhe ato të zjarrfikëses.

Avioni i vogël 23-vjeçar, që ka vend për 7 pasagjerë dhe 2 anëtarë ekuipazhi ishte pronë e qeverisë së Uttar Pradesh, një shtet në veri të Indisë në kufi me Nepalin.

/tvklan.al