Që prej vitit 1998 e deri më sot janë bërë 20 vite, që spektakli “Miss Shqipëria” zgjedh më të bukurën shqiptare.

“Miss Shqipëria” është një aktivitet që vit pas viti i ka dhënë jetë një kalaje, një legjende, një mbreti apo mbretëreshe të harruar nga shumëkush.

Ka qenë gjithmonë një event, ku përveç misionit që ka, ka arritur të promovojë ato tradita dhe vende të bukura që ne i kemi lënë në harresë.

Sot producenti i “Miss Shqipëria”, Petri Bozo dhe 32 miss-et ishin të ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan ku treguan prapaskenat e këtij eventi dhe rrugëtim 20-vjeçar.

“Unë kam lindur në atë zonë ku do të zhvillohet “Miss Shqipëria” dhe kam luajtur në oborrin ku po ndërtohet sot skena dhe jam shumë nostalgjik. Aty ka gjurmë kalaje, nuk është një kala e mirfilltë. Por ne do ta ndërtojmë në formë që të duket një kala e plotë. Këtë vit vajzat do të sfilojnë në një vend të sheshtë dhe jo si paraardhëset e tyre që kanë ngjitur gurë dhe mure. Nuk ka perëndi që t’ma kthej mendjen që të mos vazhdoj këtë punë. Jam i kënaqur që punoj prej vitesh me të gjithë familjen time. Në këtë 20-vjetor do të rikthehen 11 ose 12 vjaza nga 19 që kanë fituar kurorën e më të bukurës shqiptare, pasi një pjesë e tyre janë shpërngulur jashtë Shqipërisë”

, tha Bozo.

Ky edicion i “Miss Shqipërisë” do të finalizohet më 11 Qershor në Kalanë e Tiranës, ku do të kurorëzohet mbretëresha e bukurisë shqiptare.

/tvklan.al