Ashtu siç kishin paralajmëruar opozitarët, seanca e sotme plenare nuk kaloi e qetë. Ajo nisi me tensione dhe debate teksa deputetët demokratë bllokuan fillimisht foltoren dhe kërkuan largimin e Gardës.

Vijimi i seancës në këto kushte solli një tjetër reagim të tyre. Teksa kryeparlamentarja Lindita Nikolla u jepte të drejtën e fjalës deputetëve socialistë, demokratët i pengonin duke u fikur mikrofonat.

Rasti më i rëndë ishte ai i përplasjes fizike teksa fliste deputetin Vullnet Sinaj. Deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati i fiku mikrofonin dhe tentoi ta grushtonte. U desh ndërhyrja e Gardës dhe e deputetëve të tjerë për të qetësuar situatën.

Pavarësisht ndërprerjeve të shkurtra nga ana e Nikollës, deputetët e opozitës vijuan që të pengonin ata socialistë teksa flisnin. Ajo tha se deputetët opozitarë ishin përgatitur një skenar të tillë dhe njoftoi mbylljen e seancës. Ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit, kryedemokrati Sali Berisha tha se beteja e opozitës do të vijojë.

MË POSHTË, TË GJITHA ZHVILLIMET NGA KUVENDI

17:13 – Deputeti Bledion Nallbati tentoi ta grushtojë kolegun Vullnet Sinaj, teksa ky i fundit mori fjalën

Seanca e sotme plenare ka nisur me debate e përplasje fizike. Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli mori fjalën, pati kundërshti në radhët e opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren duke kërkuar që Garda të dalë nga salla. Po ashtu janë rikthyer pas 10 ditësh në seancë 23 deputetë të PD-së.


17:03-17:08| Pjesë nga nisja e seancës parlamentare:

“A je në terezi?!”, i drejtohet Gazment Bardhi Nikollës.

“Shumë në terezi jam, mirë e ke krahun? Ju lutem kolegë deputetë zini vendet!”, u përgjigj Nikolla.

Në momentin që Vullnet Sinaj (nga pala mazhoritare) ka marrë fjalën nga vendi, deputetët e opozitës nuk e lejuan, debat që më pas u përshkallëzua deri në përplasje fizike. Ishte deputeti Bledion Nallbati ai i cili i mbylli mikrofonin Sinajt e më pas tentoi ta grushtojë.

Mësohet se Nallbati është përjashtuar nga seanca plenare. Kryetarja e Kuvendit kërkoi 5 minuta ndërprerje të seancës.

17:25 – “Turp, turp…” Tensione në Kuvend, deputetët demokratë pengojnë socialistët teksa flasin

Pas përplasjes fizike në parlament këtë të hënë, kryetarja e Kuvendit përjashtoi nga seanca deputetin demokrat, Bledion Nallbati. Ky i fundit i fiku mikrofonin deputetit socialist, Vullnet Sinaj dhe u përplas fizikisht me të.

Edhe pasi rinisi seanca sërish deputetët demokratë nuk i lanë ata socialistë që të flisnin.


Teksa deputetja Teuta Ramaj shprehte problematikat e evidentuar nga zgjedhësit e saj në Vlorë, deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka i kanë kërkuar që të ndalonte duke e penguar.

“Turp, turp. Nuk mund të mbrosh një kriminel”, shprehej Noka teksa fliste Ramaj.

Pas kësaj situate, kryeparlamentarja vendosi sërish 5 minuta pushim.

17:33Sherri në parlament, përjashtohet nga seanca deputeti Bledjon Nallbati

Deputeti Bledjon Nallbati është përjashtuar nga seanca plenare pas përlasjes fizike në seancën plenare.

Deputeti demokrat i fiku mikrofonin atij socialist, Vullnet Sinaj dhe tentoi ta grushtonte atë. U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë dhe Gardës për të qetësuar situatën.

Pavarësisht se seanca rinisi, sërish pati tensione. Deputetët demokratë penguan ata socialistë që të flisnin. Seancën e sotme është parashikuar të diskutohet mbi çështjet e evidentuar nga zgjedhësit.

17:36- Noka nuk lejon deputeten të flasë, Berisha-mazhorancës: Beteja s’ka për të ndalur, këtu do jemi!

Teksa Flamur Noka nga radhët e PD-së nuk ka lejuar deputeten e PS-së të flasë, ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar të turpshme situatën e krijuar sot në Parlament.


“Këtu do jemi, beteja s’ka për të ndalur”, paralajmëroi kryedemokrati.

Berisha: Ky është parlamenti i Edi Ramës i cili funksionon për Gardën e jo si institucion për deputetët. Histori turpi, histori horrash! Asgjë s’do mund të kaloni, ta dini të qartë se beteja jonë s’ka për të ndalur. Këtu do jemi, këtu do jemi!

Ishin opozitarët ata të cilët që në nisje të seancës krijuan debate me palën tjetër politike, duke kërkuar në mënyrë ultimatumi që Garda të dalë nga salla.

17:48 – “Të lutem, mos e mbyll…” Noka kap me duar Çelën, Paloka i vë “vulën”

Seanca e sotme plenare, siç kishin paralajmëruar deputetët opozitarë nuk ka vijuar e qetë. Pas një përplasje fizike në nisje të saj, deputetët demokratë kanë penguar socialistët në fjalimet e tyre.

Kështu ndodhi edhe me deputetin Bujar Çela. Në krah të tij qëndronte deputeti Flamur Noka që tentonte ta pengonte duke u munduar t’i fikte mikrofonin.

“Rrini në fushën tuaj dhe bëni ç’të doni, këtej nuk keni punë. Përveç Flamurit. Flamuri është i vetëm dhe mund të rrijë ku të dojë. Kjo javë është një javë me shumë trazira. Trazirat vijnë nga një PD që është copëzuar keq. Keqardhje”, tha Çela.

“Të lutem, mos e mbyll”, iu shpreh Çela teksa Noka e kapte nga dora.

Në fund ishte deputeti Edi Paloka që i fiku mikrofonin.  

Ndërkohë kryeparlamentarja Lindita Nikolla u shpreh duke iu drejtuar deputetëve të opozitës: Keni ardhur me paramendimin për të prishur seancën.

17:49 – “O Ismet”, Beqiraj nuk ndalet nga Noka: Të gjithë jemi një farë, nuk kemi asgjë për të ndarë…


Deputeti socialist Ismet Beqiraj, ashtu si pjesa tjetër, nuk e pati aspak të lehtë të mbante fjalën e tij këtë të hënë në Kuvend.

I rrethuar nga deputetët opozitarë, e me Flamur Nokën që tentonte t’i mbyllte mikrofonin, Beqiraj tha: “Kështu i tregoni popullit, që nuk keni për të ardhur kurrë në pushtet, keni zgjedhur strategjinë e gabuar. Jemi mbledhur për të diskutuar dhe sigurisht peshën më të madhe të diskutimit do ta kishit ju, për hallet, problemet…”

Teksa fliste, Flamur Noka insistonte duke e thërritur “o Ismet”, por Beqiraj e çoi fjalën deri në fund. 

Ismet Beqiraj: Në respekt të thinjave që kam, pa dallim krahu, po ju drejtohem me një mesazh, me thënien e Naim Frashërit; “Të gjithë jemi një farë nuk kemi asgjë për të ndarë”.

17:50 – Mbyllet seanca plenare pas tensioneve në Kuvend

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla vendosi mbylljen e seancës plenare pas tensioneve në Kuvend këtë të hënë.

Ajo tha se deputetët opozitarë ishin përgatitur për një skenar të tillë dhe njoftoi mbylljen e seancës./tvklan.al