Renato Faskaj tregon në “Stop”, se  prej 5 vjetësh ka punuar në sektorin e forcave operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë kohë kërkoi të dalë në reformë dhe i duhet të marrë pagat kalimtare prej 50 përqind, siç e parashikon ligji. Gazetarja u interesua në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku i thanë, se fondi i kaluar për miratim Ministrisë së Drejtësisë. Janë rreth 160 punonjës që pritet të marrin pagat kalimtare dhe sapo fondi të bëhet aktiv në degët e thesarit, do të nisë likujdimi.

Renato Faskaj: “

Kam punuar në Drejtorinë e Burgjeve, te sektori i forcave operacionale për afro 5 vjet, për arsyet e mia personale iu drejtova Drejtorit të Përgjithshëm për kërkesë për të dalë në reformë. Kërkesa u aprovua, kështu unë u lirova nga detyra, mora shpërblimin prej dy pagash që më takonin, po që nga ajo ditë, 15 Prill fillonte pagesa kalimtare, por ka 4 muaj që këto pagesa nuk kryhen.

Pyes sektorin e financave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, thotë që kemi dërguar kërkesë te Ministria e Financave për fonde se s’kemi fonde, këto të dyja ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës. Ministria i Financave thotë s’ka ardhur akoma asnjë kërkesë, kurse këta thonë kemi dërguar kërkesën po s’kemi marrë përgjigje.

Prandaj iu drejtova edhe emisionit “Stop”, unë nuk kërkoj asgjë më shumë përveç urdhërit të zbatimit të drejtorit të përgjithshëm, për pagesat kalimtare, për afro 436 mijë Lekë. Me çfarë do jetoj, me çfarë do kaloj jemi familjarë, pagesat duhen bërë. S’po kërkoj asgjë më shumë sesa atë që më takon sipas ligjit në fuqi, lekët e mia kërkoj”.

Lidhur me rastin në fjalë “Stop” iu drejtua drejtorisë së burgjeve për t’i pyetur sepse nuk është bërë kalimi i pagave kalimtare. Në një përgjigje nga kjo drejtori, thuhet se fondet kanë kaluar për miratim te Ministria e Drejtësisë. Janë afro 160 punonjës, ushtarakë në sistemin e burgjeve që priten të marrin pagat kalimtare. Aktualisht sipas shkresës së dërguar, thuhet se “jemi në pritje të fondit, sapo të bëhet aktiv fondi në degën e Thesarit, do të vazhdojmë me likuidimin e detyrimeve, për të gjithë punonjësit që trajtohen me pagë kalimtare, në sistemin e burgjeve”./

tvklan.al