Veprimi i një mjeku për të shpëtuar një të plagosur me thikë poshtë zemrës ka bërë gjiron e rrjetit duke marrë përgëzime të shumta.

Ngjarja ka ndodhur në Bursa të Turqisë, ku një të plagosuri rëndë me thikë po i pushonte zemra, raporton agjencia turke e lajmeve “IHA”. Me të kuptuar situatën e rëndë, mjeku i urgjencës Huseyin Yenice kërceu mbi barelë duke i bërë masazh zemre pacientit deri në sallën e operacionit.

Gjithçka është filmuar sekondë pas sekonde në kamera.

Duke shpjeguar ndërhyrjen ndaj të plagosurit 32-vjeçar, Yenice tha se “ai erdhi në urgjencë rreth orës 10:20, ishte në gjendje të keqe. Kishte dy plagë thike poshtë zemrës dhe duhej ta transportonim për në sallën e operacionit.”

Mjeku i bëri masazh zemre pacientit për 3-4 minuta dhe me futjen në operacion, i plagosuri mbijetoi. Yenice thotë se ndoshta edhe po të mos e kishte bërë atë veprim, ndoshta i sëmuri do të kishte shpëtuar, por për momentin hipjen mbi barelë dhe masazhin e zemrës e shikoi si veprimin e duhur. /tvklan.al