Një argjendari pranë Sheshit Avni Rustemi është grabitur në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Për nga mënyra e grabitjes mendohet se autorët të kenë qenë disa.

Ata kanë pasur kohë të mjaftueshme, pasi nga i gjithë dyqani ka shpëtuar vetëm kjo varëse.

Pavllo Shkarpa, pronar i argjendarisë:

Kosto vete te rreth 500 mijë euro, mund të jetë 8 kg flori mund të jetë 25 kg argjend, mund të jenë dhe gati 300 ora.”

Ambienti ka qenë i survejuar me kamera të brendshme me qark të mbyllur. Por vjedhësit kanë shkulur kamerat dhe serverin e regjistrimit.

Është ndjekur afërsisht i njëjti skenar i përdorur për grabitjen e bankës së nivelit të dytë në ish-Bllok. Grabitësit kanë hyrë nga kjo ndërtesë në rikonstruksion, deri në murin e pasëm të dyqanit, kanë çarë murin, kanë çarë madje edhe tavanin e një dhome të dytë të argjendarisë për t’u futur brenda.

Pavllo Shkarpa, pronar i argjendarisë:

“Është vjedhje për mua mafioze, vjedhje e mirëfilltë e organizuar, janë vjedhës profesionistë që e njohin fushën e argjendarisë.”

Siç shihet nga pamjet asgjë nuk ka mbetur nga gjithë sasia e mallit. Pronari i saj, ia lë rastësisë faktin që grabitësit kanë gjetur edhe çelësat e këtyre kasafortave.

Pavllo Shkarpa, pronar i argjendarisë:

“Në kërkim e sipër ata kanë gjetur edhe çelsat e kasafortës dhe e kanë hapur edhe kasafortën. Ka qenë rastësi.”

I ngarkuar emocionalisht nga kjo ngjarje për të cilën thotë se tashmë biznesi i tij është i falimentuar, Pavllo Shkarpa, shpreson se policia mund t’i gjejë autorët e ngjarjes e nëse kjo nuk ndodh, ai mendon të largohet nga Shqipëria.

Pavllo Shkarpa, pronar i argjendarisë:

“Unë i bëj thirrje Kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama të më japë një pasaportë diplomatike dhe unë të largohem. Këtij vendi i ka ikur truri.”

Në një reagim të Policisë së Tiranës thuhet se për ngjarjen është ngritur një grup hetimor që po punon për zbardhjen e saj.

19:00 –  Vidhet argjendaria pranë “Pazarit të Ri”

https://www.youtube.com//embed/POp5epr2srI

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04: 25 të mëngjesit të së shtunës, në argjendarinë “Pavllo”, pranë pazarit të ri, në rrugën “Luigj Gurakuqi .”

Paraprakisht mendohet se autorët kanë arritur të marrin rreth 10 kg flori , rreth 30 kg argjend dhe 600 ora dore .

Autorët kanë përsëritur të njëjtin skenar si tek grabitja e bankës së nivelit të dytë në zonën e ish- bllokut.

Sipas të dhënave nga vendngjarja autorët për të hyrë brenda, kanë çarë 4 herë murin në pjesë të ndryshme, ku kanë patur kohë për të marrë gjithçka, duke arritur të hapin dhe kasafortën.

Ata kanë shfrytëzuar një ambient të boshatisur në ristrukturim e sipër, punimet e të cilit ishin ndërprerë për mungesë leje.

Fillimisht kanë hapur murin që lidh këtë ambient me kuzhinën e lokalit të pronarëve të argjendarisë, më pas kanë çarë murin që lidh kuzhinën me ambientin kryesor të argjendarisë dhe një tjetër të çarë në pjesën ku lidhet lokali me dhomën tjetër ku ruheshin bizhuteritë.

Më pas kanë çarë tavanin ku kanë arritur të shkëpusin të gjitha lidhjet e kamerave të sigurisë dhe të sinjalit të alarmit, duke marrë me vete dhe serverin ku ruheshin pamjet filmike.

Intervista- Djali i Pronarit: Ja si janë futur autorët në argjendari

https://www.youtube.com//embed/265fiDizKZ0

“Fillimisht ata kanë hyrë tek restoranti këtu, kanë parë murin kryesor të restorantit këtu, ndërkohë që këtej është një ndërtim që është pezulluar nga policia, me sa di unë.”

Çfarë kanë arritur të marrin ?

“Ata kanë arritur të marrin gjithë ato gjëra te argjendaria, më pas kanë hapur vrimën lart, vrimën e parë. Ka hipur dikush atje dhe e ka çmontuar sistemin e alarmit, duke dëmtuar dhe kamerat dhe pastaj ka hyrë dikush nga poshtë i ka çmontuar kamerat dhe sistemin e alarmit dhe kanë hapur, nuk e di me ça mund ta kenë hapur vrimën këtu.”

Ku del ajo pjesa?   

“Del tek argjendaria që është pronë e jona dhe më pas kanë hyrë dhe njerëzit që kanë qenë. Mendohet se mund të kenë qenë mbi 2, 3 veta.”

Sa veta mendohet të jenë?

“Dy, tre, katër, pesë, brigadë me pak fjalë, akoma edhe ne nuk e dimë se sa.”

Ky lokali i kujt është ?

“Ky lokali është prona jonë, e menaxhoj unë, e ka babai im.”

Pra kanë hyrë nga pjesa e jashtme?

“Kanë hyrë nga pjesa e jashtme që është fillesa e këtij operacioni që ata kanë bërë.”

Këtu është lokal apo ambient i jashtëm ?

“Ky është ambient që e ka blerë dikush tjetër domethënë, por është pezulluar me punimet dhe ai ka qenë bosh. Siç e shihni edhe vetë është bosh. Më pas ata kanë hyrë këtu lart dhe pastaj kanë vjedhur gjithçka që ka patur në dyqanin e argjendarisë, pra janë marrë rreth 10 kg flori, 600 ora dhe 30 kg argjend.”

Sa përllogaritet vlera e dëmit?

“Përllogaritet rreth afërsisht 700-800 mijë euro dhe unë shpresoj që do të kemi një zgjidhje me policinë e shtetit me shtetin që të na ndihmojë.”

Ju ju kanë grabitur edhe një herë tjetër?

“Na kanë grabitur dhe policia ka bërë ç’ka mundur, e kemi gjetur.”

Në vitin 2012?

“Në 2012-tën dhe ne e kemi gjetur mallin. Tani shpresojmë se do ta gjejmë prapë.”

E keni të siguruar ?

“E kemi të siguruar me një nga ato kompanitë, por akoma jemi dhe me ato në përpjekjet tona të shikojmë ça mund të bëjmë.”

Pra nuk ka as kamera? Sistemin e sigurisë e kanë çmontuar?

“Ata i kanë hequr, i kanë këputur dhe njësinë e kamerave dhe më pas ata i kanë marrë me vete dhe kamerat dhe njësinë dhe gjithçka kam pas.”

Kjo argjendari është grabitur edhe dy herë të tjera, njëherë para tre muajsh ku autorët morën rreth 30 mijë euro flori dhe argjend, si dhe në vitin 2012 ngjarje për të cilën brenda pak minutash policia arriti të arrestonte tre persona.

argjendaria 2222

Njoftimi i policisë për vjedhjen e argjendarisë

Më datë 08.10.2016, rreth orës 04:00, tek Sheshi “Avni Rustemi”, është vjedhur argjendaria e shtetasit P. Sh.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se vjedhja është kryer duke përfituar nga godina në krah, e cila është në ndërtim e sipër, nga ku është hapur në mur një dritare dhe më pas kanë hyrë në argjendari.

Grupi hetimor po punon për gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë në këtë ngjarje.

Vjedhja e argjendarisë e ndodhur me 14 Prill 2012

14 prill 2012 – Tre persona me maska në kokë e armë në duar, dy me pistoleta e njëri me thikë, kanë hyrë në argjendarinë e shtetasit Pavllo Shkarpa, vetëm pak metra nga sheshi “Avni Rustemi”. Ngjarje kjo e ndodhur me 14 Prill të vitit 2012.

Pronari i argjendarisë, shtetasi Pavllo Shkarpa, i cili ka tentuar të reagonte është qëlluar me tytën e pistoletës në kokë duke rënë pa ndjenja. Të rinjtë kanë marrë gjithë buzhuteritë që ndodheshin në tavolinë e banak e më pas, duke rrëzuar manekinet, kanë hequr gjithë mallin e ekspozuar.

Pjesa e jashtme me xhama e ka bërë transparente ngjarjen për kalimtarët e rastit, por edhe për tregtarët e tjerë që vepronin aty pranë. Në kohën kur tre grabitësit po mblidhnin bizhutë e fundit para se të largoheshin, telefonata denoncuese kishte mbërritur në Policinë e Tiranës, e cila nisi disa shërbime drejt vendit të ngjarjes. Tri grupe të patrullës së përgjithshme u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes nga drejtime të ndryshme, nga qendra e Tiranës, nga Unaza dhe nga zona e Komisariatit Nr. 4. Ndërkohë, autorët e krimit, pasi dolën nga argjendaria, bënë një ndarje të mallit aty për aty dhe ia mbathën vrapit.

Arrestimi i grabitësve

Njoftimi në kohë i policisë i dha ngjarjes kthesën përfundimtare. Ndërkohë që pronarit të argjendarisë po i jepej ndihma e parë, policia arriti të bllokojë jo shumë larg vendit të ngjarjes dy nga të rinjtë që kryen grabitjen.

“Strukturat e Policisë së Komisariatit Nr. 1 Tiranë mbërritën në vendngjarje dhe u vunë në ndjekje të autorëve, të cilët kanë bënë rezistencë ndaj forcave të policisë duke u larguar më këmbë në drejtime të ndryshme”,

deklaroi zëdhënësja e Policisë. Sipas saj, sektori i Forcës së Posaçme dhe Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë arritën në identifikimin e menjëhershëm të autorëve të krimit.

Shtetasit Dorian Mema, 18 vjeç dhe Rigels Leka, 18 vjeç, janë arrestuar pranë vendit të ngjarjes, pasi kishin ecur më këmbë dhe po mundoheshin të fshiheshin. Dhe rreth një orë pas ngjarjes është arritur të identifikohet dhe të arrestohet në banesën e tij në Shkozë edhe autori i tretë i krimit, shtetasi Erjon Kola, 20 vjeç.

Policia tha se në momentin e kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve u gjendën dy armë të tipit pistoletë, armë të cilat dyshohen se janë përdorur për të realizuar grabitjen e argjendarisë. Të dyshuarve iu bllokua edhe një sasi e konsiderueshme e floririt të vjedhur si dhe maska, thika, doreza e të tjera mjete të përdorura për kryerjen e krimit. Pas kapjes së tre autorëve, policia ka nisur hetimin për ngjarje të tjera ku mund të ishin implikuar të dyshuarit.

Autorët e arrestuar

-Dorian Mema, 18 vjeç, banues në Tiranë

-Rigels Leka, 18 vjeç, banues në Shkozë

-Erjon Kola, 20 vjeç, banues në Shkozë

Provat e bllokuara

Rreth 3.7 kg bizhuteri, maska, doreza, thikë./tvklan.al