Andon Belulaj, xhaxhai i Aldison Belulaj, ka folur për herë të parë në emisionin “Rudina” në Tv Klan për vrasjen e Ariela Muratajt që trondi dje mbarë opinionin publik.

Në një intervistë për gazetaren Albana Caushaj, ai ka thënë se në dijeninë e tij dy të rinjtë ishin të lidhur që në gjimnaz dhe kohët e fundit kishin pasur probleme. Sipas tij, dje Aldisoni priste një përgjigje nga familja e Arielës, por kjo e fundit e kishte refuzuar.

“Kam fëmijë vetë, por nuk e duroj dot, më tepër për vajzën se sa për nipin tim. Nuk bëhej kjo, iku ajo kohë. Kjo qe e papritur për ne, kaq di të them unë si xhaxha. Di që kanë patur një lidhje, por dashuria e të rinjve është si fija e flokut, grindeshin, por që të arrinin këtu nuk e mendoja. Aldisoni ka qenë normal. Sipas dijenisë time kanë qenë të lidhur që në gjimnaz. Mosmarrëveshjet kohët e fundit mund të kenë çuar deri këtu ngjarjen.

Vëllai kunata dhe djali kanë shkuar tek shtëpia e vajzës dhe kanë pritur një përgjigje ndoshta deri dje dhe djali pastaj ka ikur. Kur pashë lajmet dje u tmerrova. Nuk e di se kur kanë shkuar prindërit tek familja e vajzës”

, tha xhaxhai i Aldisonit, Andon Belulaj.

Ariela Murati 21 vjeç me origjinë nga Berati, por banuese në Fier, ishte studente në vitin e tretë të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë.

Studentja u qëllua për vdekje të dielën rreth orës 14:48 në rrugën pranë spitalit “Nënë Tereza” në kryeqytet, nga Aldison Belulaj 23 vjeç. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, i riu e shtriu përtokë vajzën dhe më pas e qëlloi me pistoletë. Armën e drejtoi edhe nga vetja duke mbetur i plagosur në gjendje të rëndë./

tvklan.al