Policia ka zbardhur dy ngjarje kriminale të ndodhura në muajt Korrik-Gusht të vitit 2017 në Kurbin, ku një 63-vjeçari me iniciale N.K. iu bë atentat duke e plagosur me armë dhe një tjetër duke i vendosur tritol makinës së tij.

Si autor të këtyre ngjarjeve, policia e Kurbinit ka arrestuar Fran Gjokën 57 vjeç. Ndaj tij është vendosur arrest me burg në mungesë më 5 Qershor 2018 për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe shkatërrim prone me eksploziv.

Motivi i këtyre ngjarjeve dyshohet një konflikt i ndodhur që në vitin 1997 në fshatin Fan të Mirditës, thotë policia, i cili ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit duke mbetur të vrarë dy shtetas dhe plagosur shtetasi Fran Gjoka dhe një shtetas tjetër. Për këtë ngjarje, 63-vjeçari me iniciale N.K. u dënua për vrasje.

Gjithashtu, janë ndaluar edhe dy vajza të reja, A.I. 23 vjeç dhe I.K. 20 vjeç. Edhe ndaj tyre, Gjykata e Kurbinit ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”.

Dy vajzat kanë falsifikuar dokumentet duke pajisur me karta SIM celulari autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, Fran Gjokë dhe ekzekutorin. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes për identifikimin e ekzekutorit të ngjarjeve dhe kapjen e vendosjen e tij  para përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu, në cilësinë e proves materiale është sekuestruar mjeti tip BMË X5 në pronësi të Fran Gjokës.

/tvklan.al