Makina që shikoni në foto i përket Fation Fejzillarit, tregtarit të perdeve të zhdukur më 29 Prill në aksin Laç – Milot. Burime nga grupi hetimor thonë për tvklan.al se brenda automjetit tip “Volkswagen” janë gjetur gjurmë gjaku. Është pikërisht makina ngjyrë e bardhë me targa AA 569 DR, që përdorej edhe nga shoku i tij Aleksandër Fadili.

Ky automjet dyshohet se është larë dy herë mëngjesin e 30 Prillit, për të zhdukur njollat e gjakut që ndodheshin në tapicerinë e makinës. Pikërisht për këtë shkak dhe të tjera rrethana dyshuese, Policia e Kurbinit arrestoi të mërkurën Aleksandër Fadilin. Gjurmët e gjakut të gjetur në mjetin “Volkswagen” do të analizohen dhe do të krahasohen me ADN-në e së ëmës së Fation Fejzillarit, zonjës Fatime Fejzillari.

(Video: Makina tip Volkswagen e Fation Fejzillarit dhe shoku i tij Aleksandër Fadili, i arrestuar për zhdukjen e shokut të tij)

Tvklan.al ka mësuar gjithashtu se në bagazhin e automjetit janë gjetur një palë gërshërë, të cilat 30-vjeçari Fejzillari i mbante në kroskot. Po kështu, një telefon celular që i përkiste Fation Fejzillarit është gjetur i thyer dhe i prishur brenda makinës. Ndërsa familjarët e 30-vjeçarit kanë pohuar për tvklan.al se këtë celular, Fatjoni e përdorte për Facebook dhe rrjete të tjera sociale, kurse për të folur mbante një celular tjetër tip Nokia model të thjeshtë.

Automjetin tip “Volkswagen”, Fatjoni e kishte blerë me kredi pak ditë përpara se të nisej së bashku me Aleksandër Fadilin për të shitur perde dhe çarçafë në qytetet Shkodër-Lezhë-Milot-Laç. Këtë fakt e konfirmon babai i Fationit në një intervistë ekskluzive që dha në tvklan.al më 6 Maj.

“Para se të ikte, mori kredi bankare 5 milionë Lekë të vjetra. Më tha, baba do marr makinë, do marr dhe mall e do iki bashkë me Sandrin të punojmë, të shesim”.

Pas zhdukjes së Fationit më 29 Prill, makina është mbajtur në përdorim nga shoku i tij Aleksandër Fadili. Me të njëjtin automjet, Aleksandri udhëtoi së bashku me prindërit e Fationit më 6 Maj për të dhënë intervistën për gazetarin Spartak Koka.

Ende nuk ka asnjë gjurmë rreth vendndodhjes së 30-vjeçarit Fejzillari, por duhet theksuar se hetimet po zhvillohen me intensitet. Aleksandër Fadili është arrestuar si person i dyshuar për zhdukjen e shokut të tij. Motivet janë të paqarta, ndërsa grupi hetimor dyshon se bëhet fjalë për arsye ekonomike. Në momentin kur Fationi është zhdukur, shoku i tij pretendon se kishte me vete 2.6 milionë Lekë të vjetra, gjysmat e të cilave i përkisnin Aleksandrit, sipas dëshmisë së këtij të fundit.

/tvklan.al