Një person ka gjetur vdekjen këtë të hënë në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të pasdites pranë spitalit Pediatrik.

Viktima është Devi B. Kasmi, 41-vjeç. Ai u qëllua për vdekje nga një person i paidentifikuar. Autori lëvizte me motor dhe u largua me shpejtësi menjëherë pas krimit. 

Paraprakisht dyshimet janë se ekzekutimi i 41-vjeçarit ka lidhje me të shkuarën e tij kriminale në disa vende të Bashkimit Europian dhe për hakmarrje, pasi ka qenë i dyshuar si i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në vitin 2010, në Tiranë.

Devi Kasmi mësohet se kishte ndryshuar emër, nga Dëfrim në Devi.

Gazetari Spartak Koka, për

tvklan.al

sjell detaje nga vendi i ngjarjes.

“Rreth orës 18:44 minuta, në rrugën “Petro Cani”, prapa shpinës sime, është ekzekutuar me armë zjarri shtetasi i identifikuar nga policia si Devi Kasmi, 41-vjeç. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se autori udhëtonte me një motor dhe ka qenë i kamufluar me skafandër. Po punohet për kapjen e tij.”

Ndërsa policia në një njoftim për ngjarjen e rëndë sqaroi si më poshtë:

“Rreth orës 18:44 në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Kongresi i Manastirit” ka të shtëna me armë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie ku ka rezultuar se:

Në një rrugicë që lidhet me rrugën “Kongresi i Manastirit”, në afërsi të Morgut është vrarë me armë zjarri Devi Kasmi, rreth 41-vjeç.

Janë ngritur pika të shumta kontrolli, si dhe po krihet zona. 

Grupi hetimor në vendngjarje po fikson dhe grumbullon çdo provë që mund të çojë në identifikimin e autorëve”. 

/tvklan.al