Vizita e Ministres Elisa Spiropali në shtëpinë e 14-vjeçares në Kavajë dhe publikimi nga Kryeministri Edi Rama i videos në të cilën shfaqeshin prindërit e saj, ka sjellë reagimin e ashpër të opozitës. Në emër të Partisë Demokratike, Kryetarja e Komisionit të Arsimit, Albana Vokshi kërkoi nga Kryeministri shkarkimin e Spiropalit dhe heqjen e videos nga Facebook.

Elisa Spiropali sot ka shkelur jo vetëm kodin moral të shqiptarit, por edhe Kodin Penal, që nuk lejon zbulimin dhe publikimin e identitetit të fëmijës së mitur në asnjë rrethanë. Premtimet për bursa, duke menduar që çdo gjë mund ta blejnë, është një sjellje me mendësi kriminale, si kriminelët që kërkojnë të blejnë heshtjen e viktimave të tyre. Si nënë, si grua, por edhe si Kryetare e Komisionit të arsimit, kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të Elisa Spiropalit. Edi Ramës i kërkoj ta heqë menjëherë videon nga faqja e tij në Facebook. Nëse ai nuk e bën këtë brenda 1 ore, AKEP duhet të bllokojë Facebook-un e Edi Ramës”,

u shpreh Vokshi në reagimin e saj.

Por kërkesa e Partisë Demokratike solli edhe reagimin e vetë Kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në Twitter shkruajti:

“Po tani çfarë keni që lehni, apo jua kemi fajin ne pse njerëzit besojnë tek ne e jo tek ju, hiena të politikës e të medias? Po mos të ishin vrasësit, përdhunuesit, grabitësit, krimet e fatkeqësitë, ju s’do ekzistonit, se s’keni hiç tjetër për t’u dhënë njerëzve veç helmit e vrerit”.

Ndërsa Drejtori i Komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga, në një reagim po në Twitter, thotë se ishin prindërit e vajzës që vendosën të dilnin hapur me një mesazh të drejtpërdrejtë në ERTV.

“Ata politikanë dhe media që shfaqen sot gjasme të indinjuar për vizitën e @elisaspiropali tek familjarët e vajzës në Kavajë janë pikërisht arsyeja pse prindërit e vajzës vendosën të dilnin hapur me atë mesazh të drejtpërdrejtë në ERTV”,

shkruajti Fuga

.

/tvklan.al