Zv/kancelari austriak Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen nga posti si dhe nga Partia e Lirisë që drejtonte, pas publikimit të një kamere të fshehtë që e përfshinë atë një skandal të madh korruptiv.

Bëhet fjalë për një video të xhiruar pak javë para zgjedhjeve parlamentare të Tetorit 2017, ku radikalët e djathtë u renditën të tretët për nga numri i deputetëve, çka bëri të mundur që Strache të bëhej pjesë e koalicionit të spektrit të djathtë me kancelarin Sebastian Kurz.

Sipas mediave gjermane “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung” që e publikuan, video është xhiruar në një vilë turistike në Ibiza. Strache takohet me një investitore nga Rusia që pretendon të jetë e bija e një oligarku. Ai i kërkon asaj të blejë 50% të aksioneve të “Kronen Zeitung”, një prej të përditshmeve më të mëdha vendase, e cila do të ndryshojë linjën editoriale për të mbështetur partinë e tij. Në këmbim, ai i ofron asaj akses të gjerë në tenderat e ndërtimit të autostradave.

Në deklaratën e dorëheqjes, Strache e konsideroi veten viktimë të një sulmi politik.

“Jap dorëheqjen nga posti i zv/kancelarit për të shmangur dëmin e mëtejshëm që mund t’i bëj qeverisë. Por unë kam rënë viktimë e një sulmi politik që është përdorur për qëllime dashakeqe.”

Kancelari austriak Sebastian Kurz vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Strachen, por pritet të vendosë nëse do t’a prishë koalicionin me populistët ose t’a çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Tv Klan