Në videon më lart tregohen momentet kur efektivët e Seksionit për Krimet ndaj Pronës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale të Tiranës, arrestuan në flagrancë 2 persona, që me anë të kanosjes, po merrinin nga një biznesmen 5 milionë lekë të reja.

Në pranga ka rënë Sadik Dinga, 27 – vjeç nga Durrësi, i dënuar më parë për falsifikim monedhash dhe 29 – vjeçari Ervis Alla nga Kruja, pronar i mobileri “Vllaznia”.

Arrestimi i tyre u bë në Tiranë, në një lokal pranë “Zogut të Zi”, në momentin që po bëheshin gati t’i merrnin paratë 59 – vjeçari me iniciale I.A, pronar i një shoqërie transporti ndërkombëtare mallrash. Kërcënimet ndaj tij kishin filluar që në datën 28 Prill, por janë mbajtur nën vëzhgim nga policia me metoda speciale të hetimit.

Gjatë verifikimeve të bëra është zbuluar se dy gjobëvenësit i kanë kërkuar 5 milionë lekë të reja edhe një biznesmeni 60 – vjeçar, që punonte me dhënie me qera ambientesh në Tiranë.

Gjatë muajit Prill, ata kanë kërcënuar edhe një biznesmen në fushën e mobilierisë, të cilit i kërkonin 3 milionë lekë.

Policia sekuestroi 3 aparatë celularë dhe 5 karta SIM të kompanive të ndryshme, të cilat janë përdorur për të kryer kërcënimet.

Tv Klan