Zëvendëskryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani ka raportuar sot në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë lidhur me procedimin disiplinor ndaj pas videove që ka bërë në zyrën e punës dhe i ka postuar në rrjetin social TikTok.

Gjatë raportimit në ILD, Kapedani ka kërkuar ndjesë publike, por thotë se publikimi i videove është bërë me qëllim për ta dëmtuar atë. Enkeleda Kapedani e konsideron veten “kokë turku”, që sikurse thotë, disa persona donin të arrini qëllimet e tyre përmes saj. Por gjyqtarja Kapedani nuk ka përmendur se cilët janë këta persona, për të cilët thotë se duan ta dëmtojnë.

Po e nis mbrojtjen time me një ndjesë të thellë publike. Kam pritur gjatë të dal para jush. Kjo edhe për shkak të një vendimi të dhënë nga unë që më ndjek e më përndjek.

A keni ju një rezultat si është Kapedani si gjyqtare, si profesioniste, si e kam menaxhuar gjykatën, a keni ju dijeni që ka ndryshuar Gjykata e Elbasanit? Askujt nga ju nuk i ka ndodhur të dëgjojë këngë me karaktere të ndryshme? Në cilin vend dënohet një gjyqtare që i publikohen videot e saj private, pyetja është kë kam shkelur unë në kallo?

Këto pyetje ja bëj vetes pasi kjo gjë ka qenë e qëllimshme për të më dëmtuar mua si grua, si nënë, si profesioniste. Të tilla reagime publiku nuk i ka patur as kur një gjyqtare është kapur me krime. Kam besuar në drejtësinë e njerëzve, por më shumë në drejtësinë e ligjit. U bëra kokë turku e atyre që nëpërmjet meje donin të arrinin qëllimet e tyre.

Ju kërkoj ju anëtarëve të më gjykoni gjakftohtë, mos lejoni që unë të sakrifikohem për qëllime të tjera, po ashtu mos u ndikoni nën presionin e etheve të klikimeve dhe bota e krimit të ndikojë tek vendimi juaj”, ka thënë ndër të tjera Enkeleda Kapedani duke u përlotur përpara ILD, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani dha dorëheqjen nga detyra pas publikimit të këtyre videove. Ndërsa KLGJ vendosi pezullimin e saj deri në përfundim të hetimeve. /tvklan.al