Ishte ora 04:45 pas mesnate kur pronari i një argjendarie në qendër të Lushnjes u ngrit i terrorizuar nga gjumi pas alarmit në dyqanin mbi të cilin banonte. Teksa zbriti në argjendari, u përball me pamjen e dyqanit të shkatërruar.

Kanë qenë katër persona që pasi kanë thyer me leve qepenin dhe xhamat, kanë marrë nga vitrina bizhuteritë.

Vlera e sendeve të vjedhura sipas policisë përllogaritet në rreth 100 milionë Lekë të vjetra. Autorët kishin studiuar mirë edhe lëvizjet e policisë në zonë. Gjithçka ndodhi ne momentin që u ndërruan turnet e një patrulle policie që qëndron gjatë natës në qendër të qytetit.

Tre grabitje me maska u regjistruan gjatë natës edhe në Tepelenë. Një supermarket, nje dyqan bulmeti dhe një pastiçeri janë thyer nga persona të maskuar. Policia ka sekeustruae kamerat e sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorëve. Këto ngjarje vijnë pas grabitjes së biznesmenit Elton Kelmendi në Durrës, ku 3 persona me armë, të maskuar dhe të kamufluar me uniforma policie hynë në shtëpinë e tij duke marrë 10 mijë Euro.

Tv Klan