Një çantë që përmbante një kompjuter dhe dy USB ku kishte informacione për planet e sigurisë për Lojërat Olimpike Paris 2024, iu vodh një inxhinieri të bashkisë së kryeqytetit francez. Reuters raportoi se informacioni ishte marrë nga dy burime, ndërsa hetuesit kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet sa më pak, derisa të zgjidhet.

Çanta ishte vjedhur në periferi të Parisit, ndërsa punonjësi po udhëtonte me një tren. Policia franceze e kontaktuar tha se nuk ishte e disponueshme për të komentuar, e gjithashtu edhe organizatorët e Paris 2024 refuzuan.

Lojërat Olimpike të Parisit do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht. Rreth 30,000 anëtarë të forcave të policisë pritet që të mobilizohen çdo ditë gjatë mbajtjes së eventit.

Vetëm për ceremoninë e hapjes përgjatë lumit të Senës pritet që të marrin pjesë rreth 300,000 spektatorë. Siguria do të jetë maksimale nga autoritetet për të shmangur incidentet apo sulme terroriste të mundshme.

Klan News