Arrestohen 2 persona, procedohen 5 të tjerë

Kallëzimi i një kompanie të telefonisë celulare për një grup të vjedhjes së të dhënave të kartave bankare online vuri në lëvizje Njësinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës.

Ata kishin krijuar një sistem mashtrimi duke vjedhur të dhënat e kartave bankare të personave jashtë vendit dhe më pas i përdornin për të blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme. Të paktën 33 milionë Lekë të reja kishin mundur të përfitonin në këtë mënyrë vetëm në një kompani, por dyshimet janë se të ardhurat e paligjshme janë shumë më të mëdha në kompani të tjera të cilat shesin produkte në online.

Në flagrancë është arrestuar 21-vjeçari Qirjako Topi. Pas hetimeve u vu në pranga edhe një person tjetër Igen Basha 18 vjeç. Të dy akuzohen tashmë për veprën penale “mashtrim kompjuterik“.

Hetimet zbuluan se ata kanë bashkëpunuar edhe me 5 persona të tjerë, 2 nga të cilët janë shtetas të huaj të cilët janë proceduar penalisht për të njëjtën akuzë. Nga kontrollet në banesa u sekuestruan telefona celularë, laptopë, dokumente dhe fatura të ndryshme bankare.

Tv Klan