Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, pas një punë të mirorganizuar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bratosh”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve të shpallur në kërkim:

M. Th., 60 vjeç (babai) dhe E. Th., 25 vjeç dhe D. Th., 21 vjeç (dy djemtë), banues në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe.

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi në datën 20.08.2021, në fshatin Bratosh, në afërsi të banesës së tyre janë gjetur të kultivuara bimë narkotike canabis sativa.

Në lidhje me këtë rast, në datën 22.08.2021, janë arrestuar në flagrancë shtetasja E. M., 23 vjeçe, banuese në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe (bashkëshortja e shtetasit E. Th), dhe një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre, janë gjetur 10.2 kg lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri pistoletë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. dhe 15-vjeçari janë bashkëpunëtorë me shtetasit M. Th., E. Th. dhe D. Th. (të ndaluar) dhe me 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, D. Th. dhe M. P. (babai i 15-vjeçarit). Vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.