Policia e Lushnjes ka vënë në pranga një tjetër person për zjarrvënie të qëllimshme. Në një njoftim për mediat blutë e këtij qyteti bëjnë me dije se në pranga ka rënë Rahman Dedaj.

Sipas autoriteteve Dedaj me qëllim ka djegur disa ferra, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me ullinj në vendin e quajtur “Kodrat e Kalipasë”.

Ndërkohë për zjarrvënie të qëllimshme është proceduar penalisht në gjendje të lirë një 15-vjeçar, pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë u kap në flagrancë duke djegur disa mbeturina ku zjarri ka rrezikuar që të përhapej në pronat e fshatit Golem.

Ndërkohë dhe Policia e Krujës ka zbuluar një rast të zjarrvënies. Siç bëhet me dije është proceduar penalisht Ramazan Stefani, pasi aksidentalisht ka shkaktuar zjarr në vendin e quajtur “Kodra e Teqes”, Borizanë, Krujë, duke djegur disa pemë frutore.

Policia edhe njëherë u bën apel të gjithë qytetarëve që të mos tentojnë të djegin qëllimisht sipërfaqe toke pasi do të përballen me ligjin, po ashtu fton të gjithë të denoncojnë këto paligjshmëri./tvklan.al