Pjesë e rubrikës “Gjysma ime” tek E Diela Shqiptare ka qenë producenti dhe aktori i njohur Edmond Topi dhe partneria e tij Mirela Oktrova një gazetare mjaft e njohur dhe së fundmi kandidate për deputete në Bindjen Demokratike. Ata si rrallë herë kanë folur për jetën e tyre private dhe profesionale. Kanë ardhur nga dy martesa të tjera ku Edi ka një dy vajza dhe Mirela një vajzë dhe janë bërë gati 15 vite që bashkëjetojnë bashkë, pa u celebruar.

Ardit Gjebrea: Ju jeni gjysmat e njëri-tjetrit, por jeni gjysmat e dyta. Çfarë ndodhi me gjysmat e para tuajat?

Mirela Oktrova: Në fakt duhet thënë që pavarësisht se ne jemi shumë të lumtur me njëri-tjetrin, fatkeqësisht ndodhi kështu që me gjysmat tona të para, nuk e vazhduam dot rrugëtimin ashtu siç menduam dhe shpresuam në fillim që natyrisht ka qenë jo pak kosto emocionale për të shtatë ne, për të ne, për dy të tjerët dhe për tre fëmijët tanë. Unë nga martesa e parë kam një vajzë dhe Edi ka dy vajza. Ish-bashkëshortët tanë janë njerëz të nderuar dhe të respektuar me integritet që kanë ndikuar në edukimin e fëmijëve, por fati e deshi që lidhjet të mos ishin jetëgjata.

Ardit Gjebrea: Po ju të dy, sa vite keni që jetoni me njëri-tjetrin?

Edmond Topi: Diku 15 vjet.

Mirela Oktrova: Që në fund të 2006-ës.

Ardit Gjebrea: Jam çuditur që ju nuk jeni të martuar, pse ky vendim?

Mirela Oktrova: Vendimi ka qenë për t’i lënë njëri-tjetrit të gjitha liritë e mundshme. Është lidhja jonë e dytë dhe pavarësisht emocionit të fortë që na mban bashkë, kemi vendosur që brenda kësaj qasje, për t’i lënë njëri-tjetrit liritë e veta, të mos e ngushtojmë veten, ne kemi vendosur që të jemi të lirë në lidhjen tonë.

Ardit Gjebrea: Ç’domethënë të lirë?

Mirela Oktrova: Që nëse dikur nuk do funksionojë, ne ta kemi lirinë ta shkëpusim.

Edmond Topi: Mirela me të mendon diçka tjetër, të cilën kur e ka thënë për herë të parë, unë jam prekur vërtet. Në një bisedë më tha “zemër ne jetojmë, i kemi punët mirë, shijojmë njëri-tjetrin, në qoftë se në një moment, për një arsye apo tjetrën do të largohemi nga njëri-tjetri, atëherë unë do të them faleminderit Zot dhe ne të dyve për të gjithë kohën e mrekullueshme që kemi kaluar”. /tvklan.al