Kraja: Janë 3 prokurori që po koordinojnë punën

Janë duke vazhduar hetimet për rastin e 400 kilogramëve kokainë të konfiskuara javë më parë në Lipjan. Ndërsa ende nuk është arrestuar ndonjë i dyshuar tjetër pos 7 personave që u arrestuan ditën kur edhe u konfiskua lënda narkotike ndonëse ishte thënë se ka edhe të dyshuar të tjerë.

Kryeprokurori i Kosovës nuk dha detaje të hollësishme me arsyetimin se rasti është nën hetim, por konfirmoi se me këtë çështje po vazhdon të merret ekskluzivisht Prokuroria Speciale e Kosovës në koordinim të ngushtë me atë të Shqipërisë dhe Italisë.

“Jemi edhe në koordinim me Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë lidhur me shkëmbimin e informacioneve të cilat janë të nevojshme për procedurën penale”, tha ai.

“Janë të përfshirë tre shtete tre prokurori, secila prej tyre ka një procedim penal dhe koordinohen vazhdimisht në hetimin e rastit konkret”, u shpreh nga ana tjetër kreu i SPAK, Arben Kraja.

Ata  kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për të luftuar krimin, korrupsionin, pastrimin e parave e financimin e terrorizmit. Megjithatë kanë përmendur faktin që bashkëpunimi ka ekzistuar edhe më parë si në rastin e konfiskimit të kokainës por edhe arrestimit të disa personave që dyshoheshin për planifikim sulmi në ndeshjen e futbollit me Izraelin që u zhvillua në Shqipëri.

Tv Klan