Greqia mbyll sportelet, mijëra emigrantë në makina

Kilometrat nuk kanë qenë kurrë më të gjata në rrugën drejt pikës doganore të Kakavijës.

Burra, gra, fëmijë dhe të moshuar që flenë në sediljet e makinave, ushqehen në rrugë dhe tentojnë të shmangin pikun e diellit nën temperaturat e nxehta të Gushtit prej 4 ditësh.

Përmes këtyre filmimeve me dron kuptohet më qartë vargu i mjeteve që zgjatet pambarim për kilometra të tërë.

Shpresa se diçka do të ndryshojë i mbajti për ditë e netë në rrugë emigrantët shqiptarë, por në anën tjetër të kufirit asnjë reflektim nga frika e koronavirusit.

Pavarësisht irritimit, sharjeve, mallkimeve dhe grumbullimeve të shkaktuara nga raskapitja e pritjes, ndërkohë që ritmet e kalimit të mjeteve kanë qenë shumë të ngadalta.

Në situatën e vështirë të krijuar, nisën edhe abuzimet me çmimet për nevojat bazë.

Por pavarësisht kushteve sfilitëse të Gushtit, askush nuk u kthye pas.

Pritja rriti tensionin e emigrantëve, që për disa minuta bllokuan edhe rrugën me kazanët e plehrave.

“Orëve të pritjes u ka ardhur fundi dhe shqiptarët që ende nuk kanë kaluar prej 4 ditësh pritje të gjatë në Kakavijë, kanë bllokuar për disa minuta rrugën në mënyrë që të tërheqin vëmendjen”.

Gjatë orëve të paradites, një ambulancë përplasi për vdekje një fëmijë 10 vjeç afër fshatit Bulalat, i cili ka qenë duke pritur në radhë bashkë me familjen e  tij.  Ambulanca ka qenë duke u kthyer në Gjirokastër dhe aksidentalisht ka përplasur për vdekje 10-vjeçarin nga Lezha.

E njëjta situatë ishte edhe në Kapshticë ku gjatë ditës u krijua sërish një varg i gjatë me makina.

Por situata në Kapshticë ndryshoi shpejt. Mijëra persona kaluan në Kapshticë dhe në mbrëmje kalimi për në Greqi ishte i lirë.

Lajmi i mirë për emigrantët ishte se kalimi drejt Greqisë do të vazhdojë edhe gjatë natës pa ndërprerje, pas komunikimit mes autoriteteve.

Duke nisur prej orës 06:00 të mëngjesit të kësaj të diele, nëpërmjet Kakavijës do të lejohet të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë. Ata duhet të jenë të pajisur me testin e tamponit më pak se 72 orë, si dhe do të karantinohen për 7 ditë.

Tv Klan