Serbët mbajnë të bllokuara rrugët në Jarinjë

Vijon të mbetet e tensionuar situata në veri të Kosovës. Mëngjesi i së martës e ka gjetur sërish të bllokuar rrugën që të çon në pikën kufitare në Jarinj.

Qytetarët serbë kanë qëndruar gjatë gjithë natës në afërsi të pikës kufitare, duke mos lejuar lëvizjen e automjeteve në shenjë proteste për vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Në Jarinjë e kanë kaluar natën edhe forcat e Policisë së Kosovës, të cilat kanë qëndruar në gatishmëri dhe kanë vëzhguar situatën nga distanca.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha një ditë më parë se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.

Ndërsa Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e përshkroi situatën si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ulin tensionet mes tyre.

Sipas vendimit, automjetet që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës, kundrejt një takse prej 5 Euro.

Tv Klan