Problem në Majën e Rrunës në Kukës

Situata me zjarret mbetet problematike në veri të vendit, sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, këtë të diel. Prej më shumë se dy javësh në Majën e Rrunës, në vendin e quajtur “Laku i Thive” në Kukës, vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive. Gjendja paraqitet problematike pasi nga Puka është përhapur edhe një vatër tjetër zjarri. Në mbështetje të operacionit ka ndërhyrë edhe një helikopter holandez.

Në Malësi të Madhe, është evidentuar një vatër zjarri në fshatin Vorfë. Flakët janë drejtuar nga mali Maranaj në një sipërfaqe me pyll dhe shkurre. Terreni është shumë i thyer dhe i vështirë për ndërhyrje nga toka dhe në një distancë rreth 4 orë në këmbë.

Ndërkohë që situata paraqitet nën kontroll në vatrat e zjarrit në fshatin Flet të Fushë Arrëzit dhe në disa fshatra të Lezhës. Edhe në Dibër, flakët në fshatin Kaçni, raportohet të jenë izoluar plotësisht dhe zjarri vazhdon djegie të ngadaltë brenda perimetrit të përshkuar.

Tv Klan