Vijon dhuna në rrugët e SHBA



Vijon dhuna në rrugët e SHBA

12:58 01/06/2020

E gjithë Amerika është ngritur në këmbë duke organizuar demonstrata të mëdha për të kërkuar drejtësi për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd. Për të gjashtë ditë me radhë protestuesit shkaktuan kaos, duke vandalizuar e plaçkitur biznese përreth e duke i vënë zjarrin makinave të policisë.

Dhjetëra grabitës hynë në një dyqan të Apple në Uashington, duke e shkatërruar e grabitur. Shumë nga dyqanet e kësaj kompanie në shtete të tjera amerikane u plaçkitën. Në Minneapolis një shofer kamioni u arrestua pasi eci me shpejtësi drejt një turme protestuesish, por fatmirësisht nuk u raportua për të lënduar. Gjendja e jashtëzakonshme është vendosur në 17 qytete.

Ndërkaq Shtëpia e Bardhë është rrethuar nga Garda Kombëtare dhe familja e Trump është strehuar në bunkerin e emergjencës për arsye sigurie.

Forca të shumta policore janë përplasur me protestues në Uashington dhe Nju Jork, ndërsa revoltat nuk munguan në Kaliforni, Filadelfia dhe Boston. Garda Kombëtare u vendos në pothuajse në të gjithë shtetet amerikane. Aktualisht policia ka arrestuar mbi 4000 protestues. Me dhjetëra janë të plagosurit mes të cilëve 12 oficerë policie, ndërsa deri më tani 3 persona kanë humbur jetën.

Përpos dhunës së krijuar autoritetet i tremben faktit se protestat mund të çojnë në një rritje edhe të personave të infektuar me koronavirus, pasi në këto protesta të paktë ka qenë ata që kanë mbajtur maska, ndërsa distancimi fizik ka qenë mjaft i vështirë të ruhet. Sipas asaj që raporton BBC protestuesit ndihen të shqetësuar edhe për përhapjen e Covid-19, por nga ana tjetër kërkojnë më shumë drejtësi pasi grupi afro-amerikan është më i diskriminuari.

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se vdekja e Floyd ishte një tragjedi e madhe, por theksoi se dhuna në protesta ishte e patolerueshme. Ai po shqyrton mundësinë edhe angazhimit të ushtrisë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka akuzuar miliarderin George Soros, i cili po nxit protesta të dhunshme me qëllim rrëzimin e tij nga pushteti. Sipas Trump pas tij po qëndrojnë organizata kriminale të ekstremit të majtë me qëllim që të mos fitojë zgjedhjet presidenciale dhe për të rritur zemërimin tek grupet afro-amerikane në SHBA.

Klan Plus



Të ngjashme