Kryeministri Krivokapiç nën presion

Mosmarrëveshjet në radhët e koalicionit qeverisës malazez kanë shtyrë miratimin e një sërë ligjesh në Parlamentin aktual. Opozita malazeze thotë, se zgjidhja e vetme është formimi i qeverisë teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Partitë e koalicionit qeveritar të drejtuar nga Zdravko Kripokaviç kanë mosmarrëveshje serioze rreth mënyrës së qeverisjes dhe kërkojnë ndryshime në qeveri.Nik Djelosaj drejtues i Listës Shqiptare tha se ende nuk ka ftese për negociatat për qeverinë e re, por pret që drejtuesit e partive politike me angazhime të ngjashme programore duhet që të ulen dhe të bien dakord për një qeveri evropiane.

Ne kemi nevojë për qeverinë tonë, tha Gjeloshaj sepse ne jemi një popull më i ndershëm ndërsa qeveritaret aktuale na kanë imponuar shumë gjëra anormale si normale. Familja sipas tij është e shenjtë dhe duhet të qëndrojë kështu. Fronti Demokratik i njohur si parti pro serbe dhe Demokratët kërkojnë ndryshime dhe përfshirjen e personave të tjerë nga radhët e politikës në kabinetin aktual të ekspertëve të udhëhequr nga Kryeministri Zdravko Krivokapiç, ndërkohë që Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviç edhe më tej këmbëngul për qeverinë e ekspertëve, ashtu siç ka qenë marrëveshja e 9 shtatorit të vitit të kaluar.

Në negociatat e fundit, kryeministri Zdravko Krivokapiç propozoi që qeveria e re të kishte 16 ministra në vend të 12 posteve ministrore sa numëron tani dhe tre zëvendëskryeministra, në vend të një zëvendëskryeministri që tani është Dritan Abazoviç. Krivokapiç po ashtu ka propozuar ndarjen e disa ministrive dhe është shfaqur i hapur për secilin model rikonstruimi, për të cilin do të merreshin vesh 41 deputetët e shumicës parlamentare.

Partitë e koalicionit duhej të deklaroheshin me shkrim për këto propozime e Kryeministrit, por ende nuk ka marrëveshje. Kjo situatë është paradoksale sepse partitë e koalicionit qeveritar diametralisht të ndryshme me ideologji, por  duket se nuk jane në favor te rrëzimit te  qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme.

Partitë opozitare të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Millo Gjukanoviç, janë të mendimit se dalja nga kjo situatë është formimi i së ashtuquajturës qeveri kalimtare, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ish-kryeministri dhe deputeti i DPS -së Dusko Markoviç tha se qytetarët duhet të shohin pse dhe nën kë pushtet po mbytet dhe shembet Mali i Zi.

Analistët politikë thonë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë aktorët politikë në Mal të Zi, por ato shohin dhe mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Në fillim të tetorit, Krivokapiç mbajti raundin e parë të bisedimeve me drejtuesit e partive të shumicës parlamentare, pa ftuar përfaqësues të pakicave kombëtare.

Klan News