Policia e Vlorës ka vijuar kontrollet nga toka dhe nga ajri me dronë, pë të zbuluar parcela me kanabis. Në një njoftim për mediat, autoritetet bëjnë me dije se janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit, në fshatrat Bolenë dhe Vërmik të Vlorës.

Gjatë operacionit të parë është arrestuar kryeplaku i fshatit Bolenë dhe inspektori i zonave të mbrojtura në këtë fshat, për shpërdorim detyre. Po ashtu janë shpallur në kërkim dhe 3 persona të tjerë.

Policia ka zbuluar një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Bolenë, Vlorë dhe si rezultat janë asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. “Për këtë ngjarje është prangosur për “Shpërdorim detyre”: D. M., 69 vjeç, banues në Bolenë, Vlorë, me detyrë kryeplak i fshatit Bolenë, Vlorë dhe I. Gj., 64 vjeç, banues në Bolenë, Vlorë, me detyrë inspektor i zonave të mbrojtura në fshatin Bolenë, Vlorë”, njofton Policia.

Në kërkim, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, janë shpallur në kërkim: Q. B., 77 vjeç dhe P. B., 41 vjeç, banues të dy në fshatin Bolenë, Vlorë.

Po ashtu gjatë ditës së sotme kontrollet kanë vijuar dhe në territorin e fshatit Vërmik, ku është evidentuar një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit dhe janë asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. “Për këtë rast u shpall në kërkim K. Ll., 47 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Vlorë, me detyrë kryetar i fshatit Vërmik, Vlorë dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. K., 55 vjeç, banues në fshatin Ramicë, Vlorë, inspektor i pyjeve dhe kullotave në fshatin Vërmik, Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kontrolluar territorin dhe nuk kanë dhenë informacion për kultivimin e bimëve narkotike”, shtohet në njoftim./tvklan.al