Edhe pas ceremonisë në nder të Lady Dianës ata nuk kanë qëndruar më shumë se 20 minuta bashkë

Princi  William dhe Princi Harry zbuluan para disa ditësh statujën në nder të Princeshës Diana në ditëlindjen e saj të 60-të. Familja Mbretërore organizoi me këtë rast një ceremoni të vogël në Kensington Palace, që dikur ishte dhe rezidenca e Lady Dianës.

Duka i Sussex, i cili jeton në SHBA me bashkëshorten  e tij, Dukeshën e Sussex, Meghan Markle, dhe dy fëmijët e tyre, mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar javën që lamë pas në mënyrë që të përfundonte karantinën e tij përpara ngjarjes së të enjtes së kaluar.

Ndërkohë që të gjithë po shpresonin për një pajtim mes dy vëllezërve, pasi gjatë ceremonisë u duk se të gjitha mosmarrëveshjet ishin sheshuar, gjërat nuk duken të jenë aq paqësore dhe të qeta mes tyre. Mediat e huaja kanë raportuar së fundmi se dy princat mezi folën me njëri-tjetrin dhe kaluan vetëm 20 minuta në të njëjtën dhomë pas ceremonisë.

Mesa duket vëllezërit janë ende në luftë me njëri-tjetrin dhe burime pranë çiftit thanë për revistën “Mirror” se është pothuajse e pamundur që familja t’i besojë sërish Harry-t.