Vijon numërimi i votave të diasporës te Parku Olimpik në Tiranë. Siç raporton gazetari i Klan News Enkel Xhangoli, janë rreth 5 mijë zarfe për t’u vlerësuar të qarqeve Durrës, Korçë, Shkodër dhe Elbasan.
Përpos tyre, janë edhe 53 mijë votat (e lënë mënjanë) të shqiptarëve të Greqisë që pritet të numërohen të nesërmen, pas mbledhjes së KQZ-së.
“Pritet që kryekomisioneri Ilirjan Celibashi të zhvillojë një mbledhje sa i takon kërkesës së demokratëve për të gjitha votat e diasporës që janë kontestuar gjatë numërimit”, bëri me dije gazetari.
Po kur nis numërimi për kandidatët preferencialë?
“Është krijuar një lloj ngërçi për numërimin e votës për kandidatë, por siç parashikon rregullorja, pa përfunduar numërimi i votave për të gjitha qarqet, nuk mund të nisë vlerësimi i atyre për kandidatë”, informoi ai.
Të paktën siç ka deklaruar kreu i KQZ-së, i gjithë procesi mund të përfundojë të Dielën, fiks një javë pasi shqiptarët iu drejtuan kutive të votimit.
/tvklan.al