Ish-deputetët dhe Kryesia do të vlerësohen për angazhimin politik

Ish-deputetët e Partisë Demokratike të dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 dhe anëtarët e Kryesisë kanë qenë të parët që kanë kaluar në sitën e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve gjatë fazës së dytë të procesit që ka nisur në selinë blu.

Anëtarja e këtij Komisioni, Enriketa Papa thotë se për ta nuk është i domosdoshëm plotësimi i formularit të vetëdeklarimit, por angazhimi i tyre politik, që nis nga rezultatet e marra në zgjedhje në qarkun ku kanë kandiduar, deri tek kontributi opozitar përgjatë tre viteve.

“Angazhimi politik kontributi në qarqe është pjesë deçizive por jo vetëm. Do shihet kontributi në Parlament, në strukturat partiake, edhe informacion shtesë për deklarimin e pasurive apo autoritetit të dosjeve. Ish-deputetët do të vlerësohen nga ana e komisionit pavarësisht se janë të përjashtuar nga formulari, nënshtrimit të vlerësimit duke u mjaftuar në të dhënat e tyre për pasurinë dhe formularin e deklarimit e kanë tashmë të plotësuar”.

Por çfarë do të ndodhë me ata kandidate, që më herët kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij procesi të nisur në Partinë Demokratike? Një ndër to është edhe ish-nënkryetarja e kësaj force politike, Jozefina Topalli, kandidatura e së cilës erdhi si propozim nga demokratët e Shkodrës.

“Në qoftë se zonja Topalli s’do të jetë pjesë është vullnet personal për të qenë përfaqësuese e saj është e saj dhe jo e komisionit”.

Filtrin e komisionit të vlerësimit më herët e kaluan 946 kandidatë, prej të cilëve në fazën e dytë pas plotësimit të formularëve të vetëdeklarimit bazës do t’i shkojnë për konsultim rreth 300 propozime, emrat e të cilëve do të konsultohen deri në 31 Tetor.

Tv Klan