Vijon procesi për naftë falas për fermerët



Vijon procesi për naftë falas për fermerët

12:44 04/03/2021

Ministrja Ekonomi: Kërkesat e shumta, aplikimet deri më 30 Mars

Aplikimi për skemën e naftës falas për fermerët që punojnë tokën është shtyrë deri me 30 Mars. Në një interpelancë me disa fermerë, ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi sqaroi se afati u shty për shkak të kërkesave të shumta.

“Sapo ka dalë në Ministria e Bujqësisë, pak ditë përpara se të mbyllej afati, që ishte 25 Shkurt. Përse u bë zgjatja? Në fakt ajo që vumë re ishte numri i madh i aplikimeve në e-Albania. Që të marrësh skemën e naftës, të përfitosh skemën e naftës, të duhet të kesh një numër Nipt-i aktiv. Në periudhën që ne flasim, riaktivizimet, ose marrja e një Nipt-i të ri, si kërkesë, erdhi rreth 6200 Nipt-e. Për këtë arsye, sepse platforma ka shpejtësinë e vet dhe i duhet një kohë për të vepruar, u mendua të shtyhet deri më 30 Mars”.

Ministrja theksoi se nga viti në vit qeveria do të ofrojë lehtësira dhe përkrahje ndaj fermerëve në të gjithë vendin, për të forcuar sektorin e bujqësisë.

“Qeveria shqiptare ka marrë përsipër që nga viti në vit, të aplikojë skemën e naftës falas për fermerët, sistemi është gati dhe sasitë e parave që do të vihen në dispozicion të skemës, të rriten nga viti në vit. Mundësia për të përfituar edhe nesër nga mbështetja me naftën falas për kulturën bujqësore të të mbjellave, do të jetë aty, do të jetë prezente, do të jetë e qëndrueshme”.

Çdo fermer që bëhet përfitues i skemës së naftës falas duke u pajisur me kartën përkatëse, ka të drejtë ta tërheqë naftën e përfituar deri në datën 30 Nëntor të këtij viti.

Klan News







Të ngjashme