Rumania i kërkon ndihmë BE-së, Bullgaria nis zbatimin e certifikatës dixhitale

Rastet e përditshme të koronavirusit vazhdojnë të rriten në disa vende evropiane, ndërsa qeveritë ende po i rezistojnë rivendosjes së kufizimeve si mbajtja e detyrueshme e maskave dhe puna në distancë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, spitalet po ngarkohen nga rritja e rasteve me koronavirus.

Qeveria britanike i beson programit të saj të vaksinimit, por sipas ekspertëve vetëm vaksinimi “nuk është i mjaftueshëm”. Në Rumani situata pandemike vijon të jetë tejet dramatike pasi ajo ka kërkuar ndihmë nga vendet e Bashkimit Europian për menaxhimin e situatës.

Vendet anëtare i janë përgjigjur thirrjes për ndihmë me pajisje dhe ilaçe.

Në Rumani, vetëm 35% e të rriturve janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 krahasuar me një mesatare të BE-së prej 74%.

Vendi me rreth 19 milionë banorë është kombi i dytë më pak i vaksinuar në bllokun 27-vendësh.

Që nga fillimi i pandemisë Rumania ka raportuar më shumë se 1.5 milionë raste të koronavirusit, duke përfshirë të paktën 44,000 humbje jete. Në Bullgari do të fillojë zbatimi i skemës së certifikatës së gjelbër që hyri në fuqi më 21 Tetor.

Nisur nga dita e sotme do të  kërkohet pasaporta shëndetësore e nevojshme për të hyrë në qendra tregtare, restorante, qendra fitnesi etj . Përjashtim bëjnë vizitat në farmaci, banka dhe dyqane ushqimore.

Në Sofje vazhdon të ketë protesta për këtë vendim të qeverisë bullgare. Bullgaria ka një nga normat më të ulëta të vaksinimit në Europë.

Klan News