Në mënyrë të përsëritur emisioni “Stop” ka folur për çerdhen e korrupsionit, në të cilën është kthyer Zyra Arsimore e Gramshit. Si të mos mjaftonte kjo, pjesë e korrupsionit është bërë në mënyrë flagrante dhe kryetarja e Bashkisë së këtij qyteti, Luljeta Dollani.

Emisioni “Stop” kujtoi shkeljet flagrante të Kryebashkiakes, ato të drejtësisë Elbasan dhe daljen jashtë funksionit të portalit të reklamuar “Mësues për Shqipërinë”.

Drejtori i ZA Gramsh, Xhevit Dyrmishi është shprehur se nuk kishte asnjë informacion për çfarë kishte ndodhur. Ndërsa financierja Flutura Sinani e kërcënoi se nëse do të vijonte të bashkëpunonte me emisionin “Stop” ta harronte që do të punësohej më përsa kohë të ishte ajo gjallë.

Po ashtu punonjësi i Zyrës Arsimore Gramsh nëpërmjet një telefonate, i tha mësuese Jonuzit se nëse do të tërhiqte denoncimin nga emisioni “Stop”, Xhevit Dyrmishi do ta rikthente në punë. Nga ana tjetër kryetarja e Bashkisë Gramsh, Luljeta Dollani i premtoi se do ta “tereziste” nëse nuk do ta hapte gojën.

Por të gjitha këto raste flagrante, të transmetuara në emisionin “Stop” me zë dhe figurë, nuk kanë përbërë shkelje apo ndikim të detyrës për prokurorinë dhe gjykatën e këtij rrethi. Si të mos mjaftonte kjo, nuk e kanë përfshirë fare kryebashkiaken Dollani në dosjen e hetimit. Mësuesja denoncuese u shpreh:

“Në asnjë fashikull të kësaj dosje nuk e kam parë emrin e zonjës Luljeta Dollani”.

Kamera e fshehtë ku shfaqej kryetarja e Bashkisë Gramsh duke premtuar “terezitjen” e mësueses Alma Jonuzi.

Kryetarja –

Unë të paktën këtë filozofi kam, megjithatë është dreqi, shejtani, është politika, që në arsim nuk duhet të jetë për mua. Edhe i thashë: Ti ke mundësi ta rregullosh, shiko rregulloje o burrë i dheut, të do bukë, nuk po të do ndonjë gjë tjetër. Jo, po unë, po të ishte ashtu, unë edhe babain e kam rregulluar me një fëmijë që është. Ashtu siç ma the ti mua variantin e Sojnikut. I thashë: Çoje mo në Sojnik.

Alma Jonuzi – Ëë… cfarë tha?

Kryetarja –

E kupton? Nuk e di si do pranojë ajo, nuk e di a pranon ajo. I thashë: Çoje në Sojnik. Nuk e di a do pranojë sepse në Sojnik do 3 orë të vesh e të vish, që është strapacim i madh. Po kam çuar atë gocën. Ajo e ka për hall, nuk e ka për mall, nuk e ka për tangërllik. Nuk e dija që qenke edhe e divorcuar. E nuk e dija këtë gjë. Pastaj më tha këtë pjesën tjetër, edhe për këtë Stop-in.

Ata të Stop-it, ti e ke parasysh. Ai bëri atë, që bëri me atë. Bëri gjithë ajo gurgule. T’i vejë edhe kjo tjetra edhe pastaj merr përmasa dhe realisht, ai ka marrë përmasa të tjera edhe në linjën politike, se flasim bashkë edhe i lemë  këtu. Edhe në linjën politike, ai ka pësuar shkarje.

Ja të flas unë njëherë me atë, çfarë do thotë.

Kryetarja e Bashkisë Gramsh merr në telefon mësuese Alma Jonuzin pas dy ditësh:

Alma Jonuzi – O zysha… se atje kishte zhurmë dhe nuk dëgjova unë, ma shpjego edhe njëherë mua tani?

Kryetarja

Po do terezitesh pra, cfarë të të shpjegoj më shumë, se kaq! Do terezitesh.., rri rehat!

Alma Jonuzi – Po të premten?

Kryetarja –

Se jam në një mbjedhje,të premte, të shtunë, të djelë, apo të hënën. Rëndësi ka, që do rregullohesh. Unë nuk po them, që do rregullohesh pas një muaji, apo pas një viti, po them tani.

Alma Jonuzi – Ok!

Kryetarja –

Tani, mos bëj ti interesanten!

Alma Jonuzi – Jo zysha! Ti i di problemet e mia?

Kryetarja –

Tani, unë nuk të marr në telefon kot dhe s’të kam marrë më parë. Tani, ti je në besën time çfarë do më shumë se kaq.

Pra mësuesja vijon të jetë pa punë, ndërsa kryetarja e Bashkisë Gramsh as që është thirrur për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje.

/tvklan.al