Helikopteri Cougar ndërhyn nga ajri për shuarjen e flakëve
Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm ka mbërritur edhe helikopteri i Forcave të Armatosura “Cougar”, i cili ka nisur ndërhyrjen nga ajri.
Autoritetet vendore kërkuan ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile, pasi nuk arritën të vinin nën kontroll flakët, që më herët rrezikuan 4 banesa.
Problematike ishte situata edhe në zonën e pyllëzuar në Peshtan të Fierit, ku u angazhuan edhe forcat e ushtrisë. Në këtë zonë flakët shkrumbuan një sipërfaqe prej 20 hektarësh kryesisht me pisha, dushk dhe parcela me ullinj.
Ndërkohë sipas kreut të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako gjatë dy muajve të fundit janë evidentuar 125 vatra zjarri në vend.
“Gjatë muajit qershor dhe korrik janë evidentuar 125 dhe 45 vetëm në tre ditët e fundit në pyje dhe në sipërfaqe kullotash. Në takimet e zhvilluara në prefektuara është diskutuar që në bashkëpunim me prefektët dhe kryebashkiakut është diskutuar për monitorimin e sistemit dhe verifikimin për informimin sa më të shpejtë të rënies së zjarreve. Sinjalizimi në kohë i shërbimit zjarrfikës, aty ku kryebashkiakët dhe kryetarët e fshatrave janë më të vëmendshëm rezultati është shumë herë më pozitiv”.
Zjarret janë kthyer në një problem shqetësues çdo vit, veçanërisht gjatë stinës së verës, por shpesh edhe terreni i ashpër e bën edhe më të vështirë përballjen me këtë fenomen.
Klan News