Japonia është goditur nga tajfuni më i fortë në 25 vitet e fundit, duke shkaktuar të paktën 6 viktima dhe 160 të plagosur.

Tajfuni ‘Jebi’ shkaktoi rrëshqitje të dherave në zonat perëndimore, si edhe shira të rrëmbyeshëm e erëra të furishme.

Zyrtarët urdhëruan më shumë se 1 milion persona në zonat e prekura që të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pasi dallgët masive, përmbytjet dhe rrëshqitjet vijojnë.

Tajfuni ka lënë tashmë dhjetëra mijëra shtëpi pa energji elektrike dhe njerëzve iu është bërë thirrje të lëvizin drejt zonave të sigurta.

Stuhia shkaktoi rrëshqitje dherash në ishullin Shikoku rreth mesditës së të martës me orën lokale dhe goditi ishullin më të madh të Japonisë, Honshu.

Qindra fluturime, udhëtime me trena dhe me tragete janë anuluar. ‘Jebi’ është tajfuni i parë i klasifikuar si “shumë i fortë” nga agjencia e motit në vend që ka goditur ishujt kryesorë të Japonisë, pasi një tajfun shkaktoi 48 të vdekur në vitin 1993, shkruan ‘BBC’./tvklan.al