Ndrea Prendi ishte komandat i Gardës së Republikës më 21 Janar të 2011-s, kur para Kryeministrisë mbetën të vrarë 4 protestues. Ndonëse u dënua nga Gjykata e Lartë për ngjarjen, 10 vjet më pas, në një intervistë për “Opinion”, Prendi thotë se ka ende shumë pikëpyetje nëse 4 viktimat u vranë ose jo nga Garda.

Blendi Fevziu: Një nga gjërat thelbësore për të cilën është folur është fakti që të 4 viktimat janë qëlluar jashtë perimetrit sigurisë të Kryeministrisë…

Ndrea Prendi: Në lidhje me këtë dua të sqaroj diçka. Nëse mund t’i referohemi skemës që ka Garda e Republikës për zonën e sigurisë së lartë, në këtë skemë Kryeministria nuk është objekti. Ajo është rrethimi prej kangjellave të hekurit dhe kalimit i tyre për Gardën është ngjarje e jashtëzakonshme. Dhe zona portokalli në momentin që ka trazira si 21 Janari kthehet në zonë të kuqe.

Blendi Fevziu: Çfarë mbron Garda?

Ndrea Prendi: Unë kam shumë pikëpyetje nëse ata janë të vrarë nga Garda apo jo.

Blendi Fevziu: Çfarë domethënë, njëra nga vrasjet është vërtetuar, madje dy prej vrasjeve sipas gjykatës kanë autor.

Ndrea Prendi: Janë verifikuar sipas gjykatës dhe janë konsideruar edhe nga të tjerë rikoshetë, mund të jenë edhe aksidentale nuk e përjashtoj.

Blendi Fevziu: Janë plumba të Gardës së Republikës.

Ndrea Prendi: Ajo është çështje e prokurorisë pastaj. Dua të them që Garda në këtë skemë që paraqita është një strukturë që vepron në zonë me siguri të lartë. Garda e Republikës nuk ka patur përplasje me protestuesit.

Blendi Fevziu: Kur aktivizohet Garda e Republikës?

Ndrea Prendi: Vetëm pasi cënohet institucioni shtetëror.

Blendi Fevziu: Kishit informacione që mund të kishte probleme?

Ndrea Prendi: Etiketimi për atë që po ndodhte ishte demonstrata, e cila jepte një impakt më të dhunshëm. Eksponent të opozitës në atë kohë në media të ndryshme bënin thirrje për dhunë dhe viktima./tvklan.al