Shkon në 136 numri i të prekurve

Edhe një viktimë nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se në Klinikën për Sëmundje Infektive mbrëmë ka ndërruar jetë edhe një pacient, që ka qenë i infektuar nga ky virus.

Bëhet fjalë për një 63-vjeçar nga Dibra, të cilit përnjëherë i është përkeqësuar situata. Ai ka qenë i hospitalizuar më 17 Mars, me sëmundje të mushkërive dhe ka qenë i kyçur në aparate. Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, viktima nuk ka patur sëmundje tjera.

Ky është rasti i dytë i vdekjes nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Dje ndërroi jetë një 57-vjeçare nga Kumanova, kurse rezulton i prekur edhe i biri i saj, një 33-vjeçar që është në situatë stabile. Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, kanë njoftuar për 22 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, me çka numri i përgjithshëm është rritur në 136.

Autoritetet e vendit mbrëmë kanë inspektuar respektimin e rekomandimeve dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të jenë më të kujdesshëm. Nga ana tjetër, pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut janë shpërndarë nëpër institucionet më të rëndësishme të vendit.

Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të merr në administrim objektet me interes shtetëror, respektivisht ushtria do të kontrollojë pikat kufitare, do ta sigurojë Qeverinë, Kuvendin dhe burgjet. Ushtria gjithashtu do të asistojë policinë e shtetit në monitorimin e orës policore.

Tv Klan