Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ngushëlluar familjen e 66-vjecarit, i cili sot humbi jetën si pasojë e COVID-19.

“Është i trishtueshëm lajmi që një tjetër qytetar ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga COVID-19. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet familjes së tij”.

Gjatë një postimi në rrjetet sociale ai i shprehu përgëzime mjekëve dhe pacientit zero që po shkon drejt shërimit nga COVID-19. 

Basha ripërsëriti thirrjen ndaj qeverisë që të pajisë personelin shëndetësor me të gjitha mjetet e duhura mbrojtëse.

“Si dhe të marrë urgjentisht masat për të ngritur ambjente të veçanta në spitalet rajonale për të pritur dhe trajtuar personat që kane shenja apo dyshime se mund të jenë prekur nga COVID 19. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur stafin mjekësor kaq të domosdoshëm në këtë situatë të rënduar, por dhe pacientët e tjerë që kurohen në spitale. Mjekët dhe infermierët janë mburoja jonë, janë garancia për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë tejet kritike. Qeveria duhet që në mënyrë emergjente të verë në dispozicion fonde për të blerë paisje mjekësore dhe tamponë të nevojshëm për të kryer ekzaminimet për COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen bartësit e këtij virusi aq më e lehtë bëhet kufizimi i përhapjes dhe trajtimi i të prekurve. Nuk duhet lejuar kurrsesi që situata të përkeqësohet, duhen marrë masa para se të jetë tepër vonë”.

Gjithashtu kreu i demokratëve i bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dhe zbatojnë këshillat e mjekëve.

“Në këtë mënyrë do të ndalojmë përhapjen e virusit COVID 19 dhe do t’ju japim mundësi mjekëve të trajtojnë me kujdes personat që janë në gjendje të vështirë shëndetësore. Mos harroni se duhet një kujdes i veçantë ndaj të moshuarve të cilët janë dhe grupmosha më e rrezikuar. Ndërsa një vëmendje e shtuar duhet dhe ndaj qytetarëve në pamundësi ekonomike, atyre që jetojnë në kushte të vështira në çadra apo banesa të papërshtashme. Pa humbur kohë duhet siguruar furnizimi me ushqime dhe detergjent për ta. Koha nuk pret”./tvklan.al