Të paktën 22 persona humbën jetën, ndërsa 794 të tjerë mbetën të plagosur nga lëkundjet e forta sizmike që goditën këtë të premte Turqinë dhe Greqinë. Të dhënat janë paraprake dhe numri i viktimave e të lënduarve mund të jetë më i lartë.

Tërmeti i fuqishëm, që sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan (USGS) ishte me magnitudë 7 të Shkallës Rihter, ra në brigjet turke të Egjeut dhe në veri të ishullit grek të Samos, duke shkatërruar një numër të madh banesash.

Në Izmir, numri i viktimave deri më tani raportohet të jetë 20, ndërsa të plagosurit 786.

Në Samos mbetën të vrarë 2 adoleshentë. Ata humbën jetën pas rrëzimit të një muri. Ndërkohë, të paktën 8 persona mbetën të plagosur.

Epiqendra e tërmetit ishte në provincën e Izmirit në Turqi. Autoritetet në këtë vend thonë se tërmeti ishte me magnitudë më të vogël, 6.6. Lëkundjet e forta shkaktuan edhe një minicunam, që përmbyti Izmirin dhe Samosin.

Sipas USGS, tërmeti që u ndje deri në Athinë e Stamboll, kishte një thellësi prej 10 kilometrash, ndonëse zyrtarët turq thanë se ishte 16 kilometra nëntokë.

Në Izmir, qyteti i tretë më i madh në Turqi me një popullsi prej gati 3 milion banorësh, shumë njerëz dolën duke vrapuar nëpër rrugë nga paniku dhe frika. Të paktën 20 ndërtesa u shembën.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se qeveria do t’i vijë në ndihmë personave të prekur nga tërmeti “me të gjitha mjetet e nevojshme që ka në dispozicion shteti”.

Në Greqi, minicunami i shkaktuar nga lëkudjet e forta përmbyti portin e Samosit, ndërsa shumë ndërtesa u dëmtuan. Zyrtarët grekë thonë se magnituda e lëkundjeve ishte 6.7.

Banorëve iu bë thirrje që të qëndronin jashtë dhe larg zonave bregdetare. Në Samos jetojnë rreth 45 mijë persona.

Tërmetet në Turqi dhe Greqi janë të zakonshme pasi këto dy shtete shtrihen në kufijtë e dy pllakave tektonike, të Afrikës dhe Euroazisë. /tvklan.al