Digjet fotografia e liderit të Hezbollahut, kryeministri kërkon zgjedhje

Pas katastrofës së shpërthimit të së martës, Bejruti ka rënë në flakët e protestave anti-qeveritare. Një polic mbeti i vrarë dhe mbi 240 persona u plagosën gjatë përleshjeve të ashpra të orëve të fundit, në protestën e zhvilluar në sheshin kryesor të kryeqytetit libanez, atë të “Dëshmorëve”.

“Dorëhiquni ose do t’ju varim”, ishte thirrja e protestuesve për presidentin dhe qeverinë. Ata dogjën figurat e Presidentit, Kryeministrit dhe liderit të Hezbollahut, Hasan Nasrallah që lufton edhe kundër Izraelit me militantët e tij.

Thirrjes së manifestuesve, që akuzojnë qeverinë si përgjegjëse për tragjedinë për shkak të neglizhencës dhe korrupsionit iu përgjigj kryeministri Hasan Diab, i cili në një konferencë për shtyp njoftoi se brenda pak ditësh do të kërkojë shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vendimi i tij erdhi pas dorëheqjes së ministres së Informacionit, e cila tha nuk shihte më arsye për të qenë pjesë e qeverisë, pasi realiteti më i fundit në Liban nuk përputhej me aspiratat e saj.

Bilanci i viktimave të shpërthimit katastrofik të së martës në portin e Bejrutit është thelluar në 158 dhe në mbi 6 mijë ai i të plagosurve. Presidenti Mishel Aun tha se hetimet, krahas aksidentit, përfshijnë edhe mundësinë që shkak i shpërthimit mund të ketë qenë një sabotazhi nga jashtë, por pa e vënë gishtin drejt një shteti të caktuar.

Dëmi ekonomik përllogaritet në 15 miliardë dollarë, një shumë që Libani e ka të pamundur ta paguajë pasi ka një mal me borxhe për të paguar që kapërcejnë 150% të prodhimit të brendshëm bruto, teksa negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë në ngërç prej disa muajsh.

Tv Klan