Gripi ka regjistruar viktimën e tretë. Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se 37- vjeçari nga Gramshi që ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, ishte prekur nga virusi gripal AH1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit.

Sipas mjekëve, i riu ka bërë komplikacione dhe nuk ka mundur të mbijetojë.

Aktualisht Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se janë identifikuar 200 raste të prekur nga gripi  AH1N1, ndërsa numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjenca dhe pranë poliklinikave ka shkuar në 19 mijë raste përgjatë javës së fundit.

Shqipëria, ka qarkullim të gripit ne intensitet mesatar, por sipas ekspertëve të Shëndetit Publik, numri i të prekurve nga viroza dhe gripi po shënon rritje të shpejtë.

Raste të shtuara ka patur edhe tek fëmijët. Për të përballuar urgjencat pediatrike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hapur 4 qendra shëndetësore 24 orëshe në Tiranë.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë vënë në dispozicion  100. 000 doza vaksinash për grupet në risk.

Qendrat shëndetësore raportojnë se deri me tani janë injektuara 80 % e vaksinave.

Tv Klan