Covid-19 i ka marrë jetën mijëra njerëzve në mbarë botën, të moshave të ndryshme. I konsideruar fillimisht si një virus i rrezikshëm për moshën e tretë, nuk janë të pakta rastet që jetën e kanë humbur edhe pacientë në moshë të re.

Në Shqipëri, këtë të mërkurë ky virus mori pacienten e parë të re. Ajo ishte një vajzë vetëm 21-vjeçe, gjendja shëndetësore e së cilës u përkeqësua në mënyrë të menjëhershme, duke mos mundur të mbijetonte.

Zyrtarisht autoritetet thonë se ky përkeqësim që çoi dhe në vdekjen e së resë erdhi si pasojë e tromboembolisë fulminante. Ajo vuante nga Sindromi Metabolik.

Por çfarë është Sindromi Metabolik?

Sindromi metabolik është një grup gjendjesh, që përfshin presion të lartë të gjakut, sheqer të lartë në gjak, yndyrë trupore rreth belit dhe nivele të larta të kolesterolit ose triglicerideve. Të gjitha këto së bashku bëjnë që personi që vuan nga ky sindrom të jetë i rrezikuar nga sëmundje të zemrës, goditje në tru e diabet.

Kjo sindromë lidhet ngushtë me mbipeshën, pasivitetin fizik, faktorët genetikë dhe plakja.

Sipas Heart.org, sindroma metabolike është një sëmundje serioze që përllogaritet se prek rreth 23 përqind të të rriturve.

Ndonëse e rrezikshme, kjo sëmundje mund të mbahet nën kontroll duke rënë në peshë, duke bërë më shumë aktivitete fizik, duke mbajtur një dietë të shëndetshme ushqimore dhe duke mbajtur nën kontroll glukozën, kolesterolin dhe presionin e gjakut.

Sa e rrezikshme është tek të rinjtë kjo sëmundje?

Për shkak të prevalencës në rritje të obezitetit, kjo sindromë po kthehet në një problem serioz shëndetësor edhe tek fëmijët dhe adoleshentët në mbarë botën./tvklan.al