“Të jesh i infektuar nuk do të thotë që të vdesësh nga Covid”

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se është përgjegjësi e mjekut përcaktimi i shkakut të vdekjes së viktimave nga Covid. Ajo u shpreh se bluzat e bardha kanë përgjegjësi morale dhe ligjore për ta përcaktiuar këtë gjë.

“Çdo mjek ka përgjegjësinë e vet, mbi bazën e ndjekjes që i bën pacientit, mbi bazën konsultave që ka bërë në dinamikë, mbi bazën e momentit kur pacienti humb jetën, mbi bazën e ekzaminimeve që ka bërë deri tani është krejtësisht në gjendje të përcaktojë se kush në kuadrin e atyre çrregullimeve që ka pasur pacienti të përcaktojë kush ka qenë shkaku i parë i marrjes së jetës dhe si ka qenë i lidhur me situata të tjera të sëmundjes Covid.

Për çdo mjek që merret me pacientin patjetër që duke shkuar nëpër këto hapa që përcaktohen dhe duke pasur parasysh si është zhvilluar historia e sëmundjes deri në humbjen e jetës fare mirë që mundet që të klasifikohet shkaku i vdekjes. Është ekskluzivitet i mjekut. Është arsyetim i një mjeku, kush është ai që të ngrihet mbi arsyetimin e mjekut që ka marrë pacientin në dorë? Mjeku e ka këtë jo vetëm përgjegjësi morale, por edhe ligjore”, tha Rakacolli.

Zv/ministrja u shpreh se “Pasja e infeksionit Covid nuk do të thotë patjetër që vdekja ka ardhur nga sëmundja Covid”./tvklan.al