Viktimat nga Covid, Shqipëria e pesta në rajon


Viktimat nga Covid, Shqipëria e pesta në rajon

20:48 26/07/2020

Shifrat e Covid-19 krahasuar në raport me popullsinë

Prej nisjes së pandemisë Shqipëria shënon 4763 raste pozitive me Covid -19 dhe 138 viktima. Bazuar në këto të dhëna të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, vendi ynë renditet i pesti në rajon sa i përket numrit total të viktimave nga koronavirusi.

E para është Serbia me 534 viktima, që pasohet nga Maqedonia e Veriut me 460 viktima, Greqia me 201 viktima, Kosova me 177, më pas Shqipëria, e në fund Mali i Zi me 43 viktima.

Po nëse merren në konsideratë vdekjet për 1 milion banorë, atëherë numrin me të lartë të fatalitetit nga koronavirusi e ka Maqedonia e Veriut me 221 viktima dhe e më pas Kosova me 88 vdekje, ndërsa Shqipëria shënon 48 vdekje për 1 milion banorë.

Serbia zë vendin e parë sa i takon edhe numrit të të prekurve me Covid – 19 me 23 730 persona në një popullsi prej 8 milion banorësh.

Ajo pasohet nga Maqedonia e Veriut me 10.086 të infektuar ne një popullsi prej 2 milion banorë dhe Kosova me një total prej 7137 të infektuar në 1.8 milion banorë. Shqipëria me 4763 persona me Covid lë pas Greqinë me 4166 të infektuar, e cila e shënon këtë numër në 10 milion banorë, pra sa 3-fishi i popullsisë shqiptare.

Ndërsa sa i përket rasteve aktive të bëra publike nga institucionet Shqipëria ka vetëm 1943 raste, më pak sesa Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Greqia apo Mali i Zi.

Ndërkohë në Italinë fqinje situata e pandemisë është shumë më e lehtë. Të dhënat ditore dëshmojnë për 255 raste te reja me koronavirus dhe 5 pacientë që kanë ndërruar jetë.

Në Bashkimin Europian shqetësim mbetet situata në Spanjë, ku numri i të prekurve është rritur në 900 të infektuar në ditë.

Në të gjithë botën tashmë janë mbi 16 milionë të prekur. 649 528 janë viktimat ndërsa mbi 9.9 milionë persona janë shëruar.

Tv Klan




Të ngjashme