Real Madrid mposht Liverpool-in, Dortmund le gjithçka të hapur me City-n

Real Madrid ka hedhur një hap të madh drejt raundit gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve. 13 herë kampionët e Europës mposhtën në takimin e parë 3-1 Liverpoolin.

Vinicius Junior kaloi në avantazh spanjollët pas një asisti perfekt nga Toni Kross. Pak minuta më pas, Asensio shndërroi në gol një aksion model të shokëve të tij, për ta çuar Realin në dhomat e zhveshjeve me avantazh të dyfishtë.

Me fillimin e fraksionit të dytë, Salah ngushtoi shifrat. Llogaritë i mbylli ai që i hapi, Vinicius, që me këtë dopietë bëhet futbollisti brazilian më i ri i cili realizon 2 gola në raundin knock-out të Ligës së Kampionëve.

Fitore të vështirë mori Manchester City në shtëpi përballë Borussia Dortmund 2-1. Kevin De Bruyne zhbllokoi sfidën. Në pjesën e dytë Marko Rojs barazoi shifrat, ndërkaq goli që mund të cilësohet kualifikimi për anglezët mban firmën e të riut Foden. Takimet e kthimit luhen më 14 Prill.

Klan News