Ajo është një këngëtare e njohur e muzikës tradicionale të Kosovës, por jo vetëm, pasi ka lëvruar në disa zhanere.

Violeta Kukaj ka realizuar mjaft këngë të dashura për publikun, por një bashkëpunim i rëndësishëm në karrierën e saj muzikore është ai me këngëtaren e madhe Nexhmie Pagarusha, e titulluar “Mbushni gotat”. Kjo këngë është kompozuar në vitet e 70’ nga Fahri Beqiri dhe e ka kënduar në atë kohë Nexhmije Pagarusha. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Violeta Kukaj rrëfeu se ideja për ta kënduar së bashku këtë këngë ka ardhur gjatë një koncerti kushtuar Fahri Beqirit në “Ansamblin Shota”.

“Nexhmie Pagarusha e ka zemrën dhe shpirtin këtu. Ajo ka qenë idhull për mua që në fëmijëri dhe e kam shoqe shumë të mirë, pavarësisht diferencës së moshës. Dalim shpesh, por për muzikën nuk kisha diskutuar asnjëherë me të sepse kam pas frikë se mos e lëndoj duke i thënë që të këndojë. Mënyra si erdhi bashkëpunimi ka qenë shumë interesante. Unë punoj në “Ansamblin Shota” dhe ishin në një koncert kushtuar Fahri Beqirit, i cili është kompozitori i kësaj kënge. Kënga është kompozuar dhe kënduar në vitet ’70 nga Nexhmie Pagarusha, por nuk e kishte të filmuar. Në atë koncert unë do të këndoja këtë këngë. Nexhmia erdhi në prova dhe tha: “Pse të mos e këndojmë një strofë unë e një Violeta”? Mbetëm të gjithë të habitur. Bëmë koncertin live dhe më pas vendosëm bashkë që ta regjistrojmë dhe ta filmojmë”, tha Kukaj./tvklan.al