I ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan këtë pasdite ishte regjisori, skenaristi dhe kineasti Bujar Alimani.

Ai e ka çuar filmin shqiptar në shumë festivale të rëndësishme dhe skena ndërkombëtare, ku vlerësimet kanë qenë të shumta. Alimani momentalisht ndodhet në Shqipëri, pasi jeta edhe karriera e tij profesionale është e ndarë mes vendit tonë edhe Amerikës.

Pak ditë më parë regjisori ka përfunduar dhe xhirimet e filmit më të fundit “Virgjëresha Shqiptare” dhe mendohet se në fund të vitit mund të jetë premiera në vendin tonë.

“Nuk mund t’i thoja jo një projekti shumë të mirë, i cili unë besoj personalisht, por këtë do ta tregoj edhe vetë filmi është i një niveli akoma shumë më të lartë sesa “Delegacioni”. Ishte një ofertë që sinqerisht u gëzova shumë që më erdhi mua, që më zgjodhën mua. Parmbrëmë bëmë xhirimet e fundit, mbaroi filmi dhe besoj se në fundin e vitit mund të kemi një premierë në Shqipëri. Filmi është i gjithi në gjuhën shqipe dhe është shumë e veçantë që një film në gjuhën shqipe, për herë të parë ka marrë buxhete nga shumë rajone të Gjermanisë. Sepse ata zakonisht janë tepër nacionalistë në këto gjëra, por për herë të parë ngaqë skenari dukej shumë i mirë, ishte shumë i mirë, i dhanë vizën një filmi në një gjuhë jo gjermanisht, që është shqipja”./tvklan.al