Virozat, fluks vizitash në Senatoriumin e Korçës


Virozat, fluks vizitash në Senatoriumin e Korçës

17:53 09/02/2024

Çdo ditë paraqiten 40-50 persona me probleme në frymëmarrje

Virozat e stinës kanë shtuar fluksin e vizitave në Senatoriumin e Korçës.

40-50 qytetarë kërkojnë ndihmë mjekësore çdo ditë, për shkak të pneumonive të lëna nga virozat. 44 pacientë në gjendje më të rënduar, mes të cilëve edhe pacientë të moshës 20 dhe 25 vjeç, janë duke u trajtuar në spital.

“Këtu mund të themi që janë gati njëlloj si kronikët ashtu edhe pacientët me viroza që i quajmë pneumoni intersticiale. Kemi edhe mosha të reja, ndoshta edhe 20 vjeç e 25 vjeç që janë gjendje që duhen vlerësuar.”

Virozat që po qarkullojnë këtë dimër shfaqin klinikë të ngjashme me Covid, me vështirësi në frymëmarrje dhe temperaturë të lartë, duke prekur rrugët e poshtme të traktit respirator.

“Kjo virozë ka qenë një virozë e ngjashme me Covidin pavarësisht se ne Covid me tampon nuk kemi kapur, por në klinikë ka qenë afërsisht si Covidi me marrje fryme, temperaturë të larta e kohëzgjatje në mjekim.”

Mjekët apelojnë të prekurit nga virozat, që të kërkojnë ndihmën e mjekut specialist, nëse gjendja e temperaturës së lartë vazhdon më shumë se tre ditë.

Klan News









Të ngjashme