Rritet numri i viktimave dhe i të prekurve nga koronavirusi

Ambasada e Shqipërise në Pekin lëshoi një thirrje për qytetarët shqiptarë që të evitojnë udhëtimet drejt Kinës për të shmangur rrezikun e infektimit nga koronavirusi i rrezikshëm që po shkakton viktima çdo ditë.

Në Kinë, numri i të vdekurve arriti në 41, në ditën e Vitit të Ri Hënor. 15 viktimat e fundit u regjistruan në provincën Hubei, aty ku shpërtheu virusi për herë të parë.

1.200 të infektuar po mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa mbi 40 milionë persona janë në karantinë. Autoritetet janë të shqetësuara se udhëtimet e miliona njerëzve për Vitin e Ri Hënor mund të përbëjnë shkak për përhapjen e virusit.

Shumë aktivitete për festën më të rëndësishme në kalendarin kinez janë anuluar. Virusi ka mbërritur edhe në Evropë. Në Francë janë konfirmuar 3 raste, ndërsa Britania e Madhe po përpiqet të ekzaminojë rreth 2 mijë persona që kanë ardhur nga provinca e Hubeit.

Edhe Australia ka konfirmuar raste të shumta. Në aeroportet e disa vendeve janë instaluar skanera që zbulojnë personat me temperaturë të lartë. Simptomat e virusit janë temperaturë, ethe dhe një kolle e thatë.

Virusi përhapet nga njeriu tek njeriu dhe sipas të dhënave, numrin më të madh të viktimave e përbëjnë të moshuar që vuanin më parë nga sëmundje të tjera.

Tv Klan