Në një laborator privat në Shkup një 46-vjeçar konfirmohet si rasti i parë

Lloji britanik i koronavirusit ka arritur në Maqedoni të Veriut, qysh para Vitit të Ri. Me të është infektuar një pacient që tashmë disa ditë evidentohet si i shëruar, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Ministri Venko Filipçe përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se sipas informacioneve të ISHP-së, pacienti 46-vjecar, për herë të parë më 29 Dhjetor të vitit të kaluar, ka bërë testin e shpejtë, për shkak të temperaturës së lartë dhe frymëmarrjes së vështirësuar.

Testi ka rezultuar pozitiv. Pas disa ditëve, respektivisht më 4 Janar 2021 paraqitet për kontroll në Spitalin Privat “Zhan Mitrev” ku i është bërë testi PCR që ka rezultuar pozitiv, kurse pacienti menjëherë është shtruar në spitalin privat. Më 15 Janar sërish testohet dhe sërish rezulton pozitiv.

Në anketën epidemiologjike pacienti nuk ka paraqitur kontakte e as që ka deklaruar se ka udhëtuar jashtë vendit.

Në Laboratorin në Spitalin “Zhan Mitrev” me metodë të veçantë PCR është konstatuar se pacienti është i dyshuar për ndonjë mutacion të virusit, kurse më pas është bërë sekuencimi i izolatit.

Sipas informacionit që është përcjellë në Ministrinë e Shëndetësisë, të gjitha mutacionet që definojnë llojin britanik të virusit janë konstatuar në izolatin e këtij pacienti. Tek mostrat tjera që janë analizuar në laboratorin privat nuk është detektuar virusi britanik.

Klan Macedonia